Me ikjen e Dritan Mehmetit nuk zgjidhen problemet e Partizanit. Përkundrazi. Nuk e di pse ajo që ndodh te klubi i kuq më ngjan plotësisht me shprehjen “ik tutje të hëngërt tënja, se të keqen e ke brenda”. Me këtë shprehje popullore, mesazhi është fare i qartë: nuk zgjidhet asgjë me prurje-ikjet pa vizion dhe pa të ardhme. Nuk zgjidhet asgjë, sepse mjegullnaja qëndron mbi kryet e Partizanit, mungon ekspertiza dhe analiza tekinike në prurjet dhe largimet e futbollistëve e të stafeve teknike. Nuk ikën e keqja pa hequr tënja. Nuk zgjidhet problemi i Partizanit as me lojtarë që venë e vijnë, me më të mirët që largohen falas. Sa raste të tilla kemi? Mjafton të kujtojmë Hasanin, që vjet e mbajtën në stol, edhe pse e sollën me bujë te Partizani. Kudo ka luajtur, “Buba” ka qenë ndër lojtarët më të mirë, vetëm te Partizani nuk bëri hajër. Nuk rregullohet Partizani duke hequr Dajën, sipas këshillave të tënja-ve rreth e rrotull presidentit Demi dhe drejtorit Rama. Mjaft me “mondrat” e zhurmuesit e zakonshëm, që në numër shkojnë gati sa lojtarët e denjë për formacionin e parë të Partizanit!!! Më mirë t’i besohet idealizmit të tifozëve në shkallët e stadiumit se sa atyre “këshilltarëve” që vjellin vrer ndaj profesionistëve dhe paguhen shtrenjtë për dështime radhazi.
Nuk shkohet askund në futboll me zgjidhje të momentit, duhen projekte e strategji afatgjatë. Partizani me trajnerët dhe lojtarët i ngjan më së shumti “Penelopës”; thur e shthur, ndreq e prish. Na thoni një trajner që erdhi te Partizani, iu besua të ndërtonte grupin dhe qëndroi një vit… Si t’i kërkosh një skuadre paraqitje dinjitoze në Europë dhe trofe kombëtarë kur tërë vitin e shpenzon për të kolauduar grupin, pastaj në qershor shkatërron gjithçka; largon më të mirët, shpeshherë edhe falas. Nuk rrihet me shpresë që të mos kenë sukses nëpër botë Mala, Bitri etj., që të kthehen sërish e t’i japin një dorë skuadrës së kuqe. Çfarë mund të presësh nga këta djem që vijnë për kontrata joshëse financiare dhe largohen falas, pa i siguruar klubit asnjë lek? Shihni Seferin te Tirana, që ndihmoi jashtëzakonisht në fitimin e titullit, ndërsa ka gjasa që këtë verë të largohet për 500 mijë euro. Prej tij, Tirana ka fituar shumëfish. Një gjë e tillë do të kishte ndodhur edhe me Ferhan Hasanin (Bubën), nëse Partizani do ta mbante të paktën një vit.
Ik tutje të hëngërt tenja, se të keqen e ke brenda… Prandaj po themi se Partizani e ka të keqen brenda, jo nga ata që ikin.
E keqja janë ata që nuk dinë të planifikojnë, të ndërtojnë e konsolidojnë një skuadër futbolli në lartësinë e emrit dhe traditës së Partizanit. Ata nuk dinë t’iu përgjigjen angazhimeve dhe shpenzimeve të presidencës së kuqe. Gjithsesi, në fund fare dikush duhet të mbajë përgjegjësi edhe karshi “lojtarit të 12-të”, tifozëve, të cilët shkojnë e çirren në stadiume. A e keni vënë re? Numri i tifozëve të Partizanit në shkallët e stadiumit po reduktohet rregullisht. Kjo, përveç të tjerave është një humbje 300 milionëshe, të ardhura të cilat klubi do t’i merrte nga biletat dhe abonimet vjetore të tifozëve. Mos harroni se sa para siguronte Partizani pretendent vetëm në katër derbet sezonalë me Tiranën. E kuptoni vetë se ç’do të thotë të mungojnë tifozët në stadium… Ata nuk mund ta hanë sapunin për djathtë pafundësisht, ndaj zhgënjimet e njëpasnjëshme i kanë ftohur me skuadrën e zemrës. Tifozët duan kënaqësinë e fitores, për të cilën luhet futbolli, jo të “karuselit” të lojtarëve që vijnë e ikin pa ua mësuar mirë as emrat, po kështu të trajnerëve. Kur skuadra ka zero trofe, për çfarë duhet ta ndjekin tifozët? Pse duhet të shkojnë në stadium, për t’u mërzitur akoma më shumë, sikur të mos iu mjaftojnë hallet e shumta e të përditshme të jetës? Pse duhet të paguajnë kartë abonimi, kur e shohin qartë se Partizani i tyre nuk është për titull e trofe? A mjafton vetëm shkuarja e skuadrës së tyre në Kupat e Europës, ku edhe atje ka vite pa kaluar asnjë tur…, ku zhgënjen keq si këtë sezon duke fituar jashtë dhe humbur brenda?
Të gjitha këto janë këmbana që bien për ata që kanë veshë. Dikush mund të thotë se ky këtë punë paska, vetëm kritika… Po, po, këtë punë kemi, sepse vazhdojmë të jemi po të asaj fjalie: E duam fort Partizanin, por atë të viteve 90-të, kur ishte “fair”, ideal, konkurrues, kampion, kur ishte imazh, “markë” e gjithçka. Ishte “markë” e shtrenjtë e jo uniformë gabi, që sot e vesh cilido. Prandaj tifozët të kthejnë kurrizin, prandaj humbjet vijnë radhazi.
Ata që rrinë afër presidentit (tënja), nuk i thonë Demit se fitohet edhe nga marketingu. Po japim një shembull të thjeshtë. Presidenti i Dundelange, skuadrës që eliminoi Tiranën, në pushim të ndeshjes iu shpërndante ujë gazetarëve dhe VIP-ave në stadium. Imagjinoni presidentin me ujë në krah! Po flasim për një president që e kishte buxhetin vjetor 15 milionë euro. Nuk kishte kollaro për të, por disponueshmëri maksimale për tifozët, të atyre që mbushnin shkallët e stadiumit, të sponsorëve, të medias. Të gjitha këto, të një klubi që përfaqësonte një qytet me 30 mijë banorë, afër kryeqytetit luksemburgas, me 158 sponsora. Nuk ishin milionerë sponsorat, por edhe furra buke, dyqan lagjeje, bare, zyra interneti, biznese nga më të vegjlit. Vetë presidenti iu shërbente atyre, i konsultonte ato për vendimmarrje të ndryshme, përulej para tifozëve.
Krejt e kundërta: pas Demit kemi një grup zhurmuesish, interesaxhinjsh, lëpirësish, servilash, të paaftësh, puna e të cilëve është një “vrimë në ujë”. Përderisa tënja është aty, me rrjetën e vet vegjetuese helmon çdo njeri, qoftë ky edhe kampion i sprovuar si Skënder Gega apo Ilir Daja, pa përmendur italianët e shumtë që kanë ardhur e ikur pa “hedhur dot rrënjë”.
Xhevdet Zekaj
Xhoda sport, 09.08.2022