Monday, November 25, 2024

Partizani fiton derbin me Dinamon dhe plotëson katërshen gjysëmfinaliste të Kupës së Shqipërisë

Lexo

Partizani dhe Dinamo kanë luftuar fort në derbin kryeqytetas të luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin kombëtar “Air Albania” për të marrë një “biletë” gjysëmfinaliste. Një bilete që ndoshta vlen më shumë se asnjëherë tjetër, sepse përkundër pozitave jo të mira që po kalojnë skuadrat në kampionat, për to, Kupa ishte mundësia më e mirë për të kapur zonën europiane.

Dhe, këtë fat e pati Partizani, i cili pas barazimit në ndeshjen e parë të para dy javëve ku ishte udhëtues, sot si pritës fitoi minimalisht me rezultatin 1 me 0.

Një ndeshje kjo e sotmja që përgjithësisht foli më shumë për të kuqtë, sidomos në pjesën e pare kur i afrohen portës kundërshtare dy herë me anë të Malës dhe një herë me anë të Carës. Do të duhet të kalojnë 33 minuta lojë që Dinamo të provojë të rrezikojë, por goditja e Denisonit pritet pa problem nga portieri i Partizanit, Hoxha. Dhe ndonëse dinamovitët do të rrezikojnë edhe në minutën e 42-të, pas një goditjeje të lirë, të zmbrapsur nga mbrojtja e të kuqve, do të jetë një ish-dinamovit që do të ndëshkojë skuadrën e tij. Skuka, i ardhur nga Dinamo tek Partizani në merkaton e dimrit, depërton me shpejtësi në qendër, gjen hapësirën për të majtën e tij dhe mposht Harizajn në minutën e parafundit të pjesës së parë. Përtej dy minutave shtesë, kjo pjesë e parë mbyllet me epërsinë minimale të Partizanit.

45 minutat e dyta, ofrojnë një lojë ku ritmi vjen duke u rritur, me Dinamon që lufton fort për të gjetur golin e barazimit, por nga ana tjetër edhe për Partizanin që krahas kujdesit që tregon në prapavijë kunrasulmon rrezikshëm për të gjetur golin e dytë të qetësisë.

Megjithatë, edhe pse emocionet shkojnë papushim, sa njëra portë në tjetrën, gol nuk më duke lënë në fuqi rezultatin e pjesës së parë. Partizani i teknikut Dritan Mehmeti fiton 1 me 0 dhe i gëzohet suksesit të parë, kualifikimit në gjysëmfinale, aty ku gjen Vllazninë, Laçin dhe Teutën. Ndërkohë, homologu i tij, Bledar Devolli, e nis me humbje dhe njëherazi eleminim aventurën në krye të skuadrës blu.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img