Kukësi-Partizani 1-2(Shënues: Daci 48′ / Cara 14′, Bitri 74′)
Pesë ndeshje në katër ditë. Kjo ka qënë formula e Federatës Shqiptare të Futbollit për kalendarin e javës së pestë të Abissnet Superiore. Ka filluar të premten me çiftin Tirana-Teuta, ku bardheblutë shpartallojnë bregdetarët me rezultatin 4-0 dhe u mbyll pasditen e sotme me çiftin e fundit, Kukësi-Partizani.
Ashtu siç pritej, takimi në fjalë ishte shumë i dyluftuar me një karikim maksimal nga të dyja skuadrat që kërkonin fitoren tre pikëshe. Një ndeshje, e cila u zhbllokua shumë shpejt me golin e shënuar nga Cara, i cili në minutën e 14-të kaloi skuadrën e tij të Partizanit në avantazh, por si kundrapërgjigje mori një shishe uji në kokë.
Pesha e goditjes ishte e asaj kategorie sa mjekët u detyruan ta transportonin në Spital për t’i dhënë ndihmën e shpejtë. Fatmirësisht, pa shumë pasoja, sepse sipas informacionit nga kampi i të kuqve, Cara është rikthyer në stadium duke u bashkuar me skuadrën në pankinë.
Gjithësesi, loja ka vijuar duke e mbyllur pjesën e parë me avantazin e të kuqve me rezultatin 1-0. Me të filluar e dyta, në të 48-tën, vendasit kanë arritur të barazojnë me anë të Dacit i sapo aktivizuar në formacionin kuksian.
Barazimi e ndez akoma shumë lojën në stadiumin “Kukës Arena”, porn ë momentin më të mirë të entuziasmit të vendasve është kapiteni Bitri që shënon me kokë për Partizanin e tij duke e kaluar atë në avantazh 1-2.
Në vijim, ka tentative për reagim të kuksianëve, por pa mundur të mbërrijnë tek goli. Në këtë mënyrë, i gjithë takimi mbyllet me fitoren e Partizanit me rezultatin 1-2.
Një fitore kjo shumë e rëndësishme për skuadrën e italianit Kolela, që me këtë tre pikësh rikthehet në krye ta belës së klasifikimit me 12 pikë, duke shfuqizuar kësisoj kryesimin e përkohshëm të Erzenit që tashmë mbetet në vendin e dytë me 11 pikë, ndërkohë që Vllaznia është e treta me 9 pikë.
Fatale është situata tek Kukësi, i cili edhe pse zëvendësoi trajnerin duke i besuar trajnerit të ardhur nga jashtë Enkeleid Dobi, por nga ana tjetër edhe me deklaratat e prera të presidentit Gjici që kërkonte patjetër fitore në këtë ndeshje, nuk arriti të merrte anjë pikë duke vijuar të qëndrojë në vendin e fundit të renditjes me vetëm 2 pikë.