Partizani ka bërë detyrën në Kupën e Shqipërisë, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale pas fitores së thellë 3-0 ndaj Burrelit. Në ndeshjen e zhvilluar në “Arena e Demave”, të kuqtë treguan superioritet që nga minutat e para dhe nuk lanë hapësira për surpriza.
Goli i avantazhit erdhi në pjesën e parë, kur Rouen Hjumen realizoi një gol spektakolar nga distanca rreth 25 metra, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë qetësi skuadrës së drejtuar nga stafi teknik.
Në pjesën e dytë, Partizani vazhdoi të kontrollojë lojën dhe e vulosi fitoren me dy gola të tjerë. Fillimisht ishte Kontreras që dyfishoi shifrat, ndërsa Skuka mbylli përfundimisht llogaritë e takimit, duke firmosur rezultatin përfundimtar 3-0.
Me këtë sukses, Partizani avancon në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe pret tashmë shortin për fazën tjetër, ku do të jetë pjesë e vazos së parë. Të kuqtë konfirmojnë kështu ambiciet për të shkuar sa më larg në këtë kompeticion.



