Teuta mori një fitore shumë të rëndësishme kur mbrëmjen e sotme mundi në transfertë Partizanin me rezultatin 0-2. Fitore kjo e sigluar nga dy golat e shënuar nga Marku në pjesën e parë dhe Kallaku me penallti në të dytën. Pas ndeshjes, në prononcimin e dhënë për Over Sport, trajneri Edi Martini, i cilësuar si strategu i kësaj fitoreje, shprehet i kënaqur për lojën e skuadrës së tij, ndërsa premton se Teuta e tij do të vijojë të regjistrojë rezultate pozitive.
“E rëndësishme është që ne kemi vazhdimësi në rezultate. Është shumë e rëndësishme që kemi stabilizuar mbrojtjen. Cilësia është rritur. Dua t’i përgëzoj djemtë. Kanë bërë një ndeshje të shkëlqyer. Lufta është jashtëzakonisht e fortë. Ne po kërkojmë t’i sulmojmë ekipet. Duhet t’i falënderoj djemtë sepse për asnjë moment nuk u shpërqendruar në lojë.
Edhe Qaqi edhe Kallaku kanë bërë një ndeshje të shkëlqyer sot. Nuk duhet të merrem me emra të përveçëm. Një lojtar të bën të fitosh një ndeshje, ndërsa grupi të çon përpara. Tabela është e pamëshirshme kur e shikon veten në vend të fundit, nuk të shohin sytë.
Sa i takon golit të Markut, mund të them se meriton notën 10-të. Nuk e bëri as me këmbën e tij, por me të majtën. Ai është një djalë i përkushtuar dhe punon në stërvitje.