Për dy ditë me radhë, e enjte dhe premte, pallati i sportit “Qazim Dervishi” i qytetit të Shkodrës ishte arena e boksit, ku ekipet më të mirë të Shqipërisë konkuruan në Kampionatin Kombëtar të grupmoshave 12 deri në 14 vjeç.
20 ndeshje kishte në program dita e parë duke evidentuar si tre ekipet më të përgatitura, Teutën, Tiranën dhe Vllazninë, boksierët e të cilëve fituan pjesën më të madhe të dueleve në ring. Ndërkohë, dita e dytë, e zhvilluar pasditen e së premtes, u zhvilluan 18 ndeshje, të cilat krahas përcaktimit të më të mirëve në konkurim individual sipas peshave përkatëse, kanë fiksuar edhe tre ekipet më të mira të kampionatit.
Çifti Brendo Bushati Vllaznia-Troy Hadërgjonaj i Studentit, i vlefshëm për peshën deri në 90-të kg, që nxori fitues shkodranin Bushati, ishte ai që mbylli krejt aktivitetin. Dhe, menjëherë pas kësaj ndeshje, Federata Shqiptare e Boksit organizoi ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve, në të cilën ishin të pranishëm edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florent Kalivopulli dhe trajneri i ekipit kombëtar të boksit, Zef Gjoni.
Fillimisht ishin diplomat dhe medaljet individuale që iu dorëzuan boksierëve për secilen peshë. Dhe më pas, edhe trofeu i ekipit kampion, të cilin e meritoi ekipi i Teutës së Durrësit me 6 kampionë, i ndjekur nga Studenti me 5 kampionë dhe Tirana me 3 kampionë.
Komisioni i gjyqtarisë vlerësoi me kupë personale, boksierin e peshës 57 kg, Jorgen Selmani të Studentit, duke e cilësuar atë si boksierin më të mire të kampionatit, ndërkohë që boksieri më teknik u vlerësua boksieri i peshës 40 kg, Ajdin Loshi i Vllaznisë, si dhe Xhorxhi Krali i Teutës konkuues në peshën 75 kg u shpallë si boksieri më luftarak.
Nga ekipi i Vllaznisë, titullin kampion në peshat e tyre, e merituan, Ajdin Loshi, Jurgen Lazëri dhe Brendo Bushati, të cilët u shpallën kampion në peshat e tyre, respektivisht sipas peshave, përkatëse 40 kg, 63 kg. dhe 90 kg.