Pikantet e ndeshjes, Partizani-Vllaznia 1-2

* Ndeshja nis me vonesë për shkak te një të çare në portën e Vllaznisë. Një nga punëtorët e stadiumit rregullon problemin dhe i hap rrugën nisjes së lojës pas rreth 6 minutash vonesë.

* Aralica dhe Juriç e ndjekin ndeshjen në tribunën e gazetarëve, teksa janë mjaft impulsivë herë pas here. Megi Doçit, kapitenes së Vllaznisë së femrave, gjithashtu i bëjnë një vend për të ndjekur sfidën.

* Një numër i madh menaxherësh dhe agjentë futbollistësh ndodheshin dje në stadiumin “Partizani”. Kjo prani e shtuar e tyre ndodh për shkak se jemi në periudhë merkatoje dhe shëtitja nëpër stadiume është pjesë e punës.

* Trajneri i Kombëtares, Silvinjo dhe ndihmësit e tij, Zabaleta dhe Doriva ishin të pranishëm në stadiumin “Partizani”. Ata e ndoqën ndeshjen në tribunën VIP, teksa në pushim u ishte rezervuar një tavolinë në ambientet e brendshme, me pamje nga fusha. Trajneri qëndroi duke parë ndeshjen deri rreth minutës së 85-të. Nuk dihet arsyeja, por duhet të themi se ai humbi golin e vonë të përmbysjes së Vllaznisë dhe momentin më të ndezur të kësaj ndeshjeje. Mesa duket e kishte parashikuar barazim këtë ndeshje. Skuka, një lojtar, që mund t’i interesojë, u aktivizua vetëm në pjesën e dytë.

* Festë shumë e ndezur e Josës, që nuk zgjedh të takojë Kolelën pas fërshëllimës së fundit të gjyqtarit, por shkon direkt në tunel.

* Pas ndeshjes, disa fëmijë sfidojnë rojet e sigurisë dhe futen në fushë. Ndërkohë, një i ri futet nga tribuna VIP në fushë, me rojet e sigurisë, që e kapin dhe më pas ia dorëzojnë policisë.

* ”Vllaznia nuk është Luzi”, dëgjoheshin tifozët shkodranë, duke ngacmuar lojtarët e Partizanit, të cilët gjithsesi u mbështetën dhe u duartrokitën nga tifozët e tyre, pavarësisht kësaj humbjeje që dhemb.

* I gjithë stadiumi i Partizanit kishte pësuar disa ndryshime në këtë ndeshje. Gjithçka dukej shumë më e kuruar, teksa mund të themi se shumë pak gjëra mungojnë nga finalizimi i tij. Gjatë javës në impiant janë bërë punime, me presidentin Gazment Demi, që ka qëndruar thuajse gjithë kohës kur punohej, për t’u siguruar që gjithçka të shkonte me ritmin e duhur. I gjithë ky kujdes i tij ka ndodhur për shkak të vizitës së trajnerit të Kombëtares, por edhe rëndësisë së ndeshjes, pasi luhej ndaj një rivali mjaft prestigjioz.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu