Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar ditën e sotme seancën e fundit para nisjes për në Londër, ku ditën e premte do të zhvillojë ndeshjen e radhës në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Ekipi ka zhvilluar një seancë të fundit në kompleksin Tropikal në Durrës, ku kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët.
Për më shumë se 60 minuta, trajneri Reja ka drejtuar seancën me kuqezinjtë që kanë zhvilluar ushtrime fizike dhe taktike. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe përqendrimi në stërvitje ka qenë shumë i lartë në prag të dy këtyre dy sfidave të fundit.
Të enjten në mëngjes, Kombëtarja do të niset drejt Londrës teksa pasdite është parashikuar edhe seanca zyrtare stërvitore, që do të zhvillohet me orën lokale të Londrës. Para stërvitjes si zakonisht trajneri dhe kapiteni do të dalin në konferencën zyrtare për media, ku do të flasin edhe për këtë sfidë të rëndësishme me Anglinë.