Kampionati Botëror i Boksit, që do të zhvillohet javën e ardhshme në Beograd të Serbisë, duket se ka hyrë tashmë në diskutime politike. Kombëtarja e Kosovës, të paktën sipas burimeve të mirëinformuara, është penguar në kufirin e Serbisë për të shkuar drejt Botërorit, sepse duhet të ishte pa simbolet e veta kombëtare. Të paktën këtë e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i Federatës së Kosovës së Boksit, Latif Demolli, i cili ka nënvizuar se “Në to shkruan KOS, ndërsa na thanë se duhet t’i lëmë në kufi dhe mund të vazhdojmë. Por siç jemi dakorduar me AIBA-n, që marrim pjesë vetëm me shenja të Kosovës, ne nuk pranuam”. E nisur nga kjo që ka ndodhur me Kosovën, Kombëtarja e Shqipërisë, e cila drejtohet nga Zef Gjoni dhe Renato Kurti në gjirin e të cilin janë dhe Alban Beqiri, Nelson Hysa dhe Indrid Laçi, ka tentuar të braktisë Botërorin. Një veprim i tillë, sidomos i kryetrajnerit të Shqipërisë, Zef Gjoni, është përshëndetur nga kombëtarja e Kosovës. Për të gjithë situatën e krijuar në Beograd, presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, për RTSH Sport ka dhënë këtë shpjegim, teksa ka pranuar se do të ngrihet zëri në instancat ndërkombëtare për refuzimin e Kosovës në Botëror.
“Kam mësuar se Kosova nuk është lejuar, nuk e di se për çfarë arsye: politike, tema të nxehta mes Serbisë dhe Kosovës, nuk është lejuar që të marrë pjesë në këtë aktivitet. Mes ekipit tonë, kryesisht mes boksierëve dhe trajnerëve të ekipit tonë ka patur një revolt, keqardhje për këtë gjë. Ka patur disa reagime, të cilat ne kemi arritur ti shuajmë. I kemi orjentuar, u kemi thënë që pjesëmarrja në këtë aktivitet është e domosdoshme dhe për asnjë arsye nuk duhet të mendoni largimin apo abandonimin e këtij kampionati”.
Dhe i pari i boksit shqiptar, edhe duke i ditur pasojat që mund të vijnë nga braktisja e Botërorit, ka qenë i prerë në vendimin për kombëtaren e Shqipërisë.
“Ne duhet të marrim pjesë në këtë aktivitet, gjithë mundimet tona, gjithë djersën tonë që kemi derdhur gjatë kësja kohe, të mundohemi ta konkretizojmë dhe të mundohemi të arrijmë ato rezultate, ato objektiva që ne pretendojmë”.
Në këtë mënyrë, gjithnjë duke i dalë përkrahë Kosovës, Shqipëria do të vijojë të jetë pjesë e Botërorit në Serbi.