Fitorja me shifrat e thella javën e kaluar ndaj Elbasanit ka dhënë efektin pozitiv në radhët e Dinamos duke sjellë një karikim maksimal për sfidën e javës së 13-të, ku përballë do të ketë Partizanin, ndeshje e cila është planifikuar të luhet të shtunën në “Elbasan Arena” duke filluar nga ora 17:00.
Duke folur për këtë pragndeshje, trajneri i bluve Ilir Daja është i mendimit se derbi i radhës me Partizanin mund të vendoset nga episodet pasi dueli ka mjaft rëndësi për të dy skuadrat, por ndërkohë mendon se ka në dispozicion një ekip konkurrues.
“Çdo fitore vlen tri pikë, por kur shoqërohet me një lojë të mirë dhe gola krijon një atmosferë tjetër. Ne si Dinamo duhet të tregojmë mentalitet fituesi. Duhet të performojmë në të njëjtën formë dhe të marrim rezultate si deri tani”, tha Daja.
“Futbolli është një shfaqje e përjavshme. Aktorët kryesorë janë futbollistët, ata në disa ndeshje nuk janë dorëzuar. Merita është e tyre, pastaj për ne si staf, sepse jemi suport për të gjithë lojtarët, që të shfaqin jo vetëm vlerat e tyre individuale, por t’i shkrijnë ato me grupin”, analizon tekniku i njohur.
“Është një ndeshje e veçantë, që duhet fituar. Shumica e derbive nuk është se kanë prodhuar spektakël, janë fituar me episode. Partizani ka një ekip që sulmon në pjesën më të madhe, ashtu si ne, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje. Kundërshtari ka lojtarë të shpejtë dhe me rendiment të mirë. Ne vazhdojmë të instalojmë lojën që kemi bërë kohët e fundit. Kush do të gabojë më pak, do të shkojë te fitorja”, pranoi Daja.