Dinamo City luan sot ndeshjen e radhës në kampionat. Skuadra luan në fushën e Egnatias kryesuese, duke nisur nga ora 13:30. Në këtë ndeshje mungojnë për shkak kartonësh kapiteni Hoxha dhe mbrojtësi tjetër Behiratçe. Përpara kësaj sfide, trajneri Dritan Mehmeti u shpreh:
“Nuk kemi pasur shumë kohë për ta përgatitur këtë ndeshje pas asaj me Vllazninë. Kemi mungesa të konfirmuara, Hoxhën dhe Behiratçen për kartonë. Kemi dhe një shqetësim me Andonin dhe do të shikojmë çfarë vendimi do të marrim. Por edhe pjesa që do t’i zëvendësojë është e denjë dhe meriton ta prezantojë Dinamon.
Egnatia është rritur shumë, ka ditur të menaxhojë situatën edhe për sa i takon merkatos. Ka bërë diferencën në kualitete dhe në rezultate. Ka një filozofi loje të sajën, edhe trajneri nuk është lëvizur dhe kjo ndikon. Ka individë të veçantë, janë 3-4 lojtarë që i kanë dhënë Superiores.
E respektojmë kundërshtarin në maksimum, vijmë nga një lojë në rritje dhe ko na jep entuzizëm. Jemi koshientë për forcën e Egnatias, do të mundohemi t’i përgjigjemi, duke e goditur në pikat e dobëta dhe duke marrë masa për pikat e forta.
Mungesat e Egnatias? Janë lojtarë me eksperiencë dhe kanë bërë diferencën në kampionat, si Aleksi, edhe Ndreca, por edhe dy mungesat tona janë shtylla të skuadrës. Ku i kemi ne mungesat, në çfarë pozicioni, dhe ku i kanë ata, ndoshta janë ata më favoritë. Megjithatë, nisemi si të barabartë, do të bëjmë maksimumin si Dinamo.
Më vjen mirë për rritjen e cilësisë së lojës nga skuadra, kemi një fizionimi. Kemi nevojë që gjatë gjithë 90-minutëshit të kemi lojë të mirë. Skuadra duhet të ketë karakterin dhe ta menaxhojë në mënyrën e drejtë lojën.
Stoli? Prandaj është një skuadër me shumë forca. Janë të gjithë të barabartë, por me vlera të ndryshme. Ata që do të luajnë ndaj Egnatias, besoj se do të bëjnë një prezantim shumë të mirë.
Gara për 4-shen nuk është vetëm me Tiranën. Është një moment kyç i kampionat, i vështirë për të gjitha skuadrat. Faktor kyç është se si do të menaxhohet aspekti fizik, sepse ndikon edhe lodhja. Janë edhe 33 pikë në lojë dhe është e paparashikueshme se çfarë mund të ndodhë”.