Skënderbeu i fundit në tabelën e klasifikimit dhe Vllaznia në grupin e skuadrave të kreut, përbalen sot në stadiumin “Skënderbeu” duke nisur nga ora 16:30. Edhe pse në pozita të kundërta në tabelën e klasifikimit, trajneri i Skënderbeut Ernest Gjoka kërkon patjetër të dalë me tre pikë nga kjo ndeshje.
“Në dy ndeshjet e fundit, sinjalet kanë qenë pozitive. Mendoj se skuadra po reagon. E kemi obligim të fitojmë ndeshjet. Na duhet me çdo kusht 3 pikëshi. Kjo është ajo që po na shqetëson më shumë në momentin që kemi kaluar dhe në atë që na pret në të ardhmen. Me Vllazninë është një ndeshje shumë e vështirë. Është skuadër me cilësi. Ne jemi të dënuar të bëjmë gjithçka për të marrë gjithçka. Të gjithë e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Sot, është një ndeshje për të bërë maksimumin dhe për të marrë maksimumin. Është ndeshje e vështirë, ndaj një skuadre të mirë, por edhe ne jemi një skuadër që duam të reagojmë dhe do të reagojmë forte”, u shpreh trajneri Ernest Gjoka në prag të kësaj sfide.