Në pritje të javës së 31-të të Kategorisë Superiore, Vllaznia vazhdon përgatitjet anti-Skënderbeu, ndeshje kjo që do të luhet pasditen e së shtunës, duke filluar nga ora 16:45.
Falë edhe motit të mirë pranveror që mbizotëron këto ditë në qytetin verior, stafi teknik e ka spostuar seancen stervitore të ekipit, nga “Reshit Rusi” me bar artificial në atë të Golemit, në periferi të qytetit, e cila është me bar natyral. Një gjë e tillë, krahas të tjerave bëhet edhe për t’u përshtatur me fushën e “Loro Boriçit” ku do të luhet ndeshja e së shtunës.
Një seancë kjo, e cila është shoqëruar me lajme të mira, pasi në dispozicion të teknikut Plori kanë qënë të gjithë futbollistët, përfshirë edhe Viktor Da Silvën. I konsideruar si futbollisti më teknik i Vllaznisë, braziliani i sulmit kuqeblu i ka munguar skuadrës kuqeblu që nga ndeshja gjysëmfinale e Kupës së Shqipërisë me Partizanin, ku siç u pa, ai u largua i dëmtuar nga fusha e lojës.
Ndonëse në adresë të tij, ka pasur hera-herës edhe kritika, përgjithësisht prania e tij në fushën e lojës, i jep një pamje më të bukur lojës së Vllaznisë, duke qënë edhe më kërcënuese për skuadrën kundërshtare.
Stervitja me grupin e parë duke përballuar me sukses të gjithë minutazhin dhe ngarkesën e dhënë nga stafi teknik, jep një garanci të plotë, që Da Silva pritet të jetë i gatshëm për sfidën me korçarët. Më pas, është në kompetencat e vetë teknikut Plori, nëse do ta hedhë në fushë nga minuta e parë, apo si zëvendësues gjatë lojës.
Sa i përket formacionit të parë, për arsye të penalizimit me kartonë të verdhë, kuqebluve do t’i mungojnë Krymi dhe Gjorgjeviç, ndërkohë që pjesa tjetër është e gjitha e plotë për sfidën e së shtunës ndaj korçarëve.