Sunday, November 24, 2024

Pragndeshja me Partizanin, dy kapitenë kuqeblu, garantojnë kualifikimin e Vllazninë në finalen e Kupës së Shqipërisë

Lexo

E mërkura e kasaj mesjave do të jetë e tëra në vemendjen e ndeshjeve të kthimit për gjysëmfinalet e Kupës së Shqipërisë. Fillon në orën 14:45 me çiftin, Laçi-Teuta dhe vijon me çiftin tjetër të orës 17:45, Vllaznia-Partizani.

Kurbinasit, të cilët kanë fituar ndeshjen e parë në transfertën durrsake, pritet ta kenë më lehtë kualifikimin. Ndërkohë që dueli tjetër i “Loro Boriçit” mes Vllaznisë dhe Partizanit që e kanë mbyllur ndeshjen e parë në barazim 0-0, pritet të jetë shumë i dyluftuar, pasi të dyja skuadrat kërkojnë një biletë për të shkuar në finale.

Ndryshe, nga ndeshjet e mëparshme ku në konferencën e shtypit është paraqitur trajneri Elvis Plori, në këtë pragndeshje, përpara gazetarëve shkodranë kanë qënë dy kolonat kryesore të skuadrës kuqeblu, kapiteni Erdenis Gurishta dhe zv.kapiteni, Ardit Krymi.

Një strategji kjo e goditur nga ana e KF Vllaznia, ku përmes dy figurave kryesore të skuadrës kuqeblu, kërkojnë të karikojnë tifozërinë shkodrane për të mbushur tribunat e stadiumit “Loro Boriçi” në mbështetje të skuadrës së zemrës për kualifikimin në finale e kompeticionit.

Erdenis Gurishta(Kapiten i Vllaznisë)

“Vijmë nga një moment delikat dhe na duhen të gjitha forcat që të shkojmë në finale. Na duhet ndihma dhe mbështetja e tifozëve. Pavarësisht situatës jo të mirë që po kalon ekipi. Na duhet ndihma e tifozëve dhe bashkë me tifozët mendoj se kemi mundësi dhe do t’ja dalim ditën e nesërme. Më ka munguar shumë fusha e lojës dhe e kam përjetuar shumë në tribunë dhe në stol kur kam qenë, kam dashur që të isha në fushë,por ishte e pamundur sepse dëmtimi më la shumë gjatë jashtë fushës, por nesër do të jem në fushë do të jem aty për ekipin dhe shpresoj që t’ja dalim”.

“Është e vërtetë që u përkeqësua gjendja e skuadrës, ndodhën shumë gjëra bashkë. Gjendja psikologjike e ekipit ishte e rënduar. Rezultate jo të mira që nga momenti i humbjes ndaj Tiranës, u përjetua shumë keq në Shkodër dhe ekipi filloi të kishte shumë probleme shumë mungesa. Gjendja fizike ishte e rënduar për shkak të mungesave, por i kemi lënë të gjitha pas dhe jemi fokusuar te ndeshja e nesërme, pasi është e vetmja mundësi e jona që të përsërisim atë të vitit të kaluar.”

“Kështu rastisi u dëmtova me Partizanin dhe u riktheva me Partizanin. Shpresoj të jem në gjendjen time optimale dhe të ndihmoj ekipin. E ndjeva për të thënë të vërtetën ndoshta nuk jam në 100% tim, por e ndjeva të jem aty për ekipin ose të gjithë bashkë të shkojmë në finale ose të gjithë bashkë të dështojmë”.

“Sa i përket kualifikimit, të them të vërtetën nuk e kam menduar as kohën shtesë as penalltitë, unë besoj shumë te kualifikimi dhe jam i bindur që do kualifikohemi. Jam munduar që t’ja imponoj edhe skuadrës këtë besim dhe them se nesër do ta fitojmë ndeshjen. E di që do jetë shumë e vështirë pasi Partizani në këto ndeshjet e fundit është kthyer te ai Partizani i frikshëm e cinik, por duhet shumë besim dhe duhet të marrim përgjegjësi dhe ta çojmë ekipin në finale, pasi është i vetmi shpëtim për skuadrën”, u shpreh kapiteni i kuqebluve në konferencën për shtyp dhënë sot në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”.

Ardit Krymi(Zv.Kapiten i Vllaznisë)

“Siç ka ardhur situata mendoj se ndeshja me Partizanin është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, sepse siç ka shkuar kampionati duhet të japim maksimumin. Jam i kënaqur që është kthyer Gurishta, sepse i duhet ekipit. Të dalin të dy kapitenët mendoj se kjo tregon që do e marrim përsipër ndeshjen. Do japim 100% në nesër siç e dhamë në ndeshjen e parë. Ata na anuluan një gol të rregullt në minutën e 90’. Kemi për t’u bërë më të fortë. Ne objektivat i kemi pasur të qarta. Objektivi minimal i yni ka qenë Europa. Mendoj se futbolli po nuk pati pak presion nuk është i bukur.”

“Pa tifozë nuk kemi ku shkojmë. Ata janë ndihmë e madhe për ne dhe mendoj që me ta jemi të pamposhtur. Duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë, sepse dihet se si shkon ndeshja gjysmë finale e Kupës dhe do të mundohemi ta mbyllim brenda 90 minutave. Kualifikimi në finale do të na japë besim në fazën e mbetur të kampionatit, sepse nuk ka mbaruar gjë në kampionat. 5 pikë nuk janë shumë”, përfundon prononcimin e tij, zv.kapiteni kuqeblu, Ardit Krymi

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img