Manchester City ka harruar të fitojë dhe vazhdon të zhgënjejë në kampionat. Djemtë e Guardiolës kanë barazuar 1-1 në shtëpi përballë Evertonit në sfidën hapëse të javës së 18-të të Premier Ligës.
Ndeshja e 4-t pa fitore për “qytetarët” (2 pikë të grumbulluara) që kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm dhe tashmë janë në krizë të plotë rezultatesh. Evertoni i Brojës ndal kampionët në fuqi të Anglisë dhe merr një tjetër rezultat pozitiv në kampionat.
Sulmuesi shqiptar Armando Broja u aktivizua në minutën e 70-të në formacionin e Everton, dhe me shpërthimet e tij solli panik në skuadrën kundërshtare të Manchester City. Një episod mjaft i bukur ishte ai i minutës ë 94-t, kur Foden mori karton të verdhë pasi ndaloi Brojën duke u zvarritur në fushë, aksion ky që shoqërohet edhe me foton e shkrimit.
Bazuar në kronikën e takimit, vendasit kalojnë në avantazh në minutën e 14-të me autor Bernardo Silva, ndërsa Evertoni barazoi me anë të Iliman Ndiaye në minutën e 36-të të pjesës së parë.