Sistemi i drejtësisë argjentinase ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj presidentit dhe financierit të Federatës së Futbollit Argjentinas (AFA), Claudio “Chiqui” Tapia dhe Pablo Toviggino, në një hetim mbi kontributet e sigurimeve shoqërore dhe taksave të tjera.
Procedurat rrjedhin nga një ankesë e paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave (DGI) dhe kanë të bëjnë me taksa të papaguara që arrijnë në total mbi 19 miliardë peso, ekuivalente me afërsisht 13 milionë dollarë, gjatë dy viteve të fundit. Parregullsitë e supozuara kanë të bëjnë me mbajtjet e TVSH-së, taksën mbi të ardhurat dhe kontributet e pensioneve midis marsit 2024 dhe shtatorit 2025.
Ligji argjentinas parashikon dënime me burg nga dy deri në gjashtë vjet për këto vepra penale. Sipas prokurorisë, duke pasur parasysh dimensionin financiare të AFA-s dhe shumën e diskutuar, hetimi mund të shtrihet edhe tek anëtarët e tjerë të bordit drejtues. Ky është i pari nga tre hetimet e hapura ditët e fundit që përfshijnë menaxhmentin e lartë të federatës së futbollit.
Hetimet e tjera kanë të bëjnë me parregullsi të dyshuara financiare që lidhen me kompaninë Sur Finanzas dhe blerjen e një prone luksoze në provincën e Buenos Aires. Nga ana e saj, AFA ka mohuar akuzat, duke denoncuar një “sulm të koordinuar” nga qeveria e Presidentit Javier Milei.
Përballja mes palëve vazhdon për më shumë se një vit dhe është nxitur nga plani i qeverisë për të futur modelin e shoqërisë aksionare në futboll, një propozim deri më tani i refuzuar nga AFA dhe shumica e klubeve.



