Daniel Lekndreaj rikthehet tek Vllaznia. Basketbollisti i talentuar shkodran ka lënë Kosovën ku luajti me shumë sukses si titullar kryesor me ekipin e Prishtinës dhe tashmë është pjesë e skuadrës kuqeblu. Paraditen e së mërkurës, Lekndreaj ka qënë i ftuar në zyrën e presidentit të KB Vllaznia, Alban Xhaferi ku dhe ka firmosur zyrtarisht kontratën e re me klubin kuqeblu. Pas firmosjes ka ardhur edhe fotoja e presidentit Xhaferi me basketbollistin Lekndreaj që shoqëron ekskluzivisht për Veriu Sport shkrimin në fjalë.
“Po, është e vertetë që sot firmosa kontratën me Klubin e Basketbollit Vllaznia dhe për këtë natyrisht që jam i kënaqur. Vllaznia është skuadra ime e zemrës, këtu u lindëm dhe u rritëm së bashku me vëllain tim Dod Lekndreaj nën patronazhin e trajnerit të moshave, Roland Koka për të ardhur deri këtu ku jemi sot. Krahas të tjerave, në Shkodër rikthehem edhe për arsye familjare për të qënë më afër prindërve në këtë situatë problematike pandemie të Covid-19, pasi edhe vëllai Doda është larg në Kanada ku vazhdon aktivitetin e basketbollit me ekipet e atjeshme”, thekson për Veriu Sport, basketbollisti Daniel Lekndreaj duke sqaruar se kontrata me kuqeblutë është e vlefshme deri në fund të sezonit.
Për sa luajti në Kosovë, Danieli ishte titullar me peshë i skuadrës së Prishtinës dhe ndër më të spikaturit e Superligës së Kosovës, ku në të shumtën e rasteve ka qënë pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes. Kampionat, të cilin Danieli e komplimenton për cilësinë, rivalitetin dhe spektaklin që dhuron në fushën e lojës.
I kënaqur në arritjen e marrëveshjes për rikthimin në Shkodër të Lekndreajt është edhe presidenti i KB Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili ndër të tjera vlerëson parametrat që disponon lojtari në fjalë. Sipas tij, me rikthimin e Lekndreajt, si dhe të Shestanit që vjen edhe ai nga kampionati kosovar ku luajti me Gjakovën, por edhe i të riut Elian Memçaj që pas një përvoje pozitive me Kamzën është bërë përsëri pjesë e Vllaznisë, bazuar edhe në elementin aktual që ekziston në skuadër, Vllaznia do të luftojë fort për realizimin e objektivave të marra në fillim të sezonit për fitimin e trofeve.