Është zhvilluar sot Konkursi Ndërkombëtar për projektin e stadiumit të ri të Durrësit, ku garojnë për finalen 3 studiot prestigjioze të arkitekturës bashkëkohore 51N4E (Belgjikë) Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV (Holandë).
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili është gjithashtu pjesë e jurisë që do të përzgjedhë edhe projektin fitues. Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Duka theksoi se qyteti i Durrësit e meriton një investim të tillë, që do të ketë një impakt të madh në jetën ekonomike e sportive të qytetit.
Sipas tij, të gjitha investimet e bëra në stadiume janë fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe i bashkimit të forcave mes Federatës Shqiptare së Futbollit dhe qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa shprehu bindjen se me investimet e reja Shqipëria do të bëhet vendi me infrastrukturën më të mirë sportive në rajon.
Gjithashtu, Presidenti Duka bëri edhe një herë thirrje për të mbështetur nismën e FSHF-së për ndërtimin e fushave të reja stërvitore që do të nxisin edhe më shumë zhvillimin e futbollit në vend.
Më poshtë, fjala e plotë e Presidentit Duka në këtë aktivitet:
I nderuar z. Kryeministër,
E nderuar kryetare e Bashkisë Durrës,
E nderuar znj. Ministre,
Miq e të ftuar, pjesëmarrës të komunitetit sportiv, shumë të nderuar pjesëmarrës të jurisë, mirëdita!
Jam vërtetë shumë i kënaqur që jam këtu mes jush, jo vetëm për faktin që do të lançojmë një projekt për futbollin, por edhe për faktin që jam në qytetin tim. Pra jam dy herë i kënaqur që ky projekt është në qytetin tim.
Durrësi mbase e meritonte shumë më parë një investim të tillë, por asnjëherë nuk është vonë dhe unë mendoj që me iniciativën që është marrë nga Kryeministri në këtë stacion të dytë, sepse i pari ishte Korça dhe i treti do të jetë Vlora në këtë tur, ne plotësojmë infrastrukturën sportive të futbollit të luajtur në Shqipëri. Nuk është hera e parë që e them, por dua ta përsëris dhe jam krenar për këtë gjë, që ne me përfundimin e këtyre tre stadiumeve do të jemi vendi më i mirë në rajon sa i përket infrastrukturës sportive të futbollit.
Të gjitha investimet e bëra në stadiume janë fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe i bashkimit të forcave, të financave, të energjisë, të vullnetit, të dëshirës dhe dashurisë për futbollin, i Federatës së Futbollit, qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama. Me këtë lloj bashkëpunimi jam shumë i sigurt që do bëjmë shumë gjëra të tjera, shumë më të mira për futbollin.
Siç e thanë dhe Ministrja dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, së fundmi është nënshkruar një marrëveshje mes Bashkisë së Durrësit dhe Manchester City Group, që dua të përshëndes dhe të falënderoj kryetaren, pasi besoj se do t’i shërbejë futbollit durrsak dhe futbollit kombëtar në përgjithësi, që do ta rrisë një nivel akoma edhe më të lartë. Ne plotësojmë me këto stadiume shumë mirë infrastrukturën sportive të futbollit të luajtur, kushtet për mediat e futbollistët etj., por kemi më shumë nevojë për terrene sportive (stërvitje).
Uroj që projektet që ne do zgjedhim sot mos t’i cenojnë fushat që ne sapo kemi investuar me kryetaren e bashkisë në Durrës dhe e ftoj kryetaren që të bëjmë edhe më shumë fusha të tjera, jo vetëm sepse do t’i shërbejnë fëmijëve në Durrës, por edhe turizmit në Durrës. Nëpërmjet fushave të futbollit mund të afrojmë shumë ekipe në Durrës dhe të plotësojmë ato ditët e dimrit që ne i kemi thuajse bosh.
Edhe një herë falënderoj Kryeministrin për iniciativën, falënderoj jurinë që kanë pranuar ftesën, falënderoj projektuesit që kanë pranuar të hyjnë në këtë garë dhe jam shumë i bindur dhe i sigurt që juria do të zgjedhë objektin më të mirë dhe më të përshtatshëm që do t’i shërbejë futbollit durrsak dhe atij shqiptar. Faleminderit!