Kategoria e parë e futbollit shqiptar luan të shtunën ndeshjet e Javës së 18-të, mes të cilave është edhe ajo, Vora-Tërbuni. Pukjanët e drejtuar nga trajneri shkodran, Elvin Beqiri kanë rënë në “dashuri” me barazimet, të cilat për hirë të së vertetes kanë qënë të shumta, por që nga përballja e kësaj jave me Vorën kërkojnë të ecin në rrugën e fitoreve.
Në prononcimin e dhënë për mediat në prag të sfidës me Vorën, takim që do të luhet të shtunën në kompleksin sportiv “Pezë Helmes” Tiranë duke filluar nga ora 13:30, tekniku i pukjanëve Elvin Beqiri kërkon fitoren tre pikëshe.
“Luajmë përballë një skuadre e cila renditet në tre skuadrat e fundit të tabelës së klasifikimit ndaj edhe kërkon pikët e mbijeteses, por Tërbuni kërkon të marrë maksimumin në Vorë. Kundërshtari është përforcuar, ndaj ne nuk duhet ta neglizhojmë në asnjë moment. Vora të nxjerr probleme dhe sidomos në fushën e vet. Nëse arrijmë të marrim fitoren ndaj Vorës, do të çlirohemi psikoligjikisht. Jemi borxhlinj para tifozërisë sonë, së cilës duhet t’i kthejmë buzëqeshjen me pikë të plota.
Ata janë mbështetësit tanë më të mëdhenj brenda dhe jashtë fushës sonë.”, u shpreh shkodrani i pankinës pukjane, Elvin Beqiri.
Duke folur për ecurinë e skuadrës ku për javë të tëra ka regjistruar barazime të pafund, Beqiri beson se në ndeshjet në vazhdim situata do të ndryshojë duke pritur ardhjen e fitoreve për skuadrën e tij. Ndërkohë, sa i përket merkatos, Beqiri thotë se skuadra ka ndryshuar mes dy fazave, pasi ka pasur largime të disa lojtarëve, por edhe afrime, mes të cilëve mund të ishte edhe ndonjë i huaj, i cili për arsye procedurash nuk arriti të bëhej pjesë e skuadrës.
Edhe pse debutues, Tërbuni ka mundur të jetë mes skuadrave më të mira të Kategorisë së Parë. Për këtë, Beqiri është i kënaqur, dhe në këto kushte është i mendimit se vendi i katërt në renditje për Tërbunin e këtij sezoni është pozitiv. Por sigurisht, që me një ndryshim kursi më pozitiv të javëve në vazhdim, mund të ketë edhe ndryshim të objektivave për të shkuar më lart, pse jo edhe drejt Superiores.