Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, pranoi se ndihej i turpëruar për sjelljen e tij pas humbjes ndaj Newcastle. Pas ndeshjes, trajneri katalanas fillimisht debatoi me Bruno Guimarães dhe më pas me një kameraman, duke i hequr kufjet dhe duke i folur drejtpërdrejt në vesh me një ton dukshëm të lartë.
Në prag të ndeshjes së radhës së ‘Citizens’, që nesër pret Bayer Leverkusen në Etihad, Guardiola shpjegoi se i kërkoi falje kameramanit: “U ndjeva i sikletosur kur e pashë veten përsëri. Nuk më pëlqen dhe kërkoj falje. Unë jam ai që jam. Edhe pas 1,000 ndeshjeve, nuk jam një person perfekt dhe bëj gabime. Por gjithmonë do ta mbroj ekipin tim”.
Trajneri i Cityt ishte i tërbuar pas humbjes kundër Newcastle, veçanërisht për shkak të disa vendimeve të gjyqtarëve që ai mendonte se e penalizuan ekipin e tij, duke përfshirë një penallti të mundshme për Phil Foden dhe dyshimet për golin e dytë të Neëcastle.
Nesër, kundër klubit gjerman, Guardiola do të arrijë pikën e 100 paraqitjeve në Ligën e Kampionëve: “E kuptoj që po plakem. Çdo ndeshje është një pikë e rëndësishme. Është mirë, do të thotë që kemi qenë atje çdo sezon. Liga e Kampionëve është një garë e madhe, e veçantë për lojtarët. Të testosh veten kundër ekipeve më të mira në Evropë është e pabesueshme, një përvojë e shkëlqyer. Për klubin, për sa i përket reputacionit, prestigjit dhe ndikimit financiar, është thelbësore”.



