Egnatia-Dinamo 2-2(penallti 4-5)
Egnatia: Dajsinani, Xhemajli, Sota, Alijev, Fangaj, Aleksi, Zejnullai, Fernando, Ujka, Lushkja, Guindo.
Dinamo City: Teqja, Hoxha, Aliji, Lorran, Meksi, Qefalija, Karamba, Tiago, Zabërgja, Vila, Mandela.
Barazim 2-2 në kohen e rregullt, barazim 2-2 edhe në kohën shtesë, dhe pas 120 minutash betejë në fushën e lojës, është dashur një “betejë” tjetër tejet emocionuese, ajo e gjuajtjeve të penalltive për të përcaktuar ekipin fitues të Kupës së Shqipërisë për sezonin 2024-2025. Dhe, ai është ekipi i Dinamos, i cili sfidoi Egnatian, skuadrën që e kishte fituar dy herë radhazi këtë trofe. Një trofe ky që e rikthen Dinamon pas 22 vitesh fituese të Kupës së Shqipërisë, duke koleksionuar kupën e 14-të në historinë e këtij klubi.
Referuar kronikës së takimit të luajtur në “Elbasan Arena”, Dinamo kalon e para në avantazh me Itodo Mandelën, por Egnatia rikthen shifrat në ekuilibër me Guindon në minutat shtesë të pjesës së parë. Mandela shënon sërish në pjesën e dytë, por rrogozhinasit kundërpërgjigjen sërish në kohën shtesë, kësaj radhe me Bakajokon. Koha e rregullt përfundon 2-2. Nuk ka ndryshim rezultati në 30 minutat e kohës shtesë. Ruleta e penalltive i buzëqesh Dinamos duke fituar 4-5, dhe shkurorëzuar Egnatian (rrogozhinasit kishin fituar 2 edicionet e fundit të Kupës) dhe fiton Kupën e Shqipërisë për herë të 14-të në histori, një sukses që mungonte prej 22 vitesh.
Një meritë të veçantë ka trajneri Ilir Daja, që në sezonin e tij të parë te Dinamo, arriti që të rikthejë “blutë” te trofetë. Ndalet për momentin (kujtojmë që dy skuadrat do të luajnë në Final 4 për titullin kampion) seria e sukseseve të trajnerit Tetova, të cilit këtë sezon i mbetet të fitojë vetëm kampionatin.
Pas përfundimit të ndeshjes finale, u zhvillua ceremonia e dhënies së medaljeve dhe trofeut të Kupës, ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku. Presidenti Duka i dorëzoi medaljet dhe trofeun e Kupës së Shqipërisë skuadrës së Dinamo City-t.
(Video) Festa e fitores së Kupës së Shqipërisë nga Dinamo, pasi mundi në finale, Egnatian me penallti.
Fatmir Popja