Vllaznia ka lënë pas miqësoren me Tërbunin, të cilen e fitoi me rezultatin 4 me 1, takim ky i zhvilluar pasditen e së dieles në stadiumin “Loro Boriçi” dhe tashmë përqëndrimi është i tëri për startin zyrtar të Kampionatit Kombëtar të Futbollit-Kategoria Abissnet Superiore. Sipas kalendarit të FSHF-së, Superiorja rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 16-të, të cilat do të luhen në dy ditë, e shtunë dhe e diele.
Natyrisht që kryendeshja e kësaj jave do të jetë ballafaqimi mes Tiranës kryesuese të kampionatit dhe Vllaznisë që e ndjekë nga pas dhe që për momentin renditet në vendin e katërt me 8 pikë më pak se bardheblutë.
Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia do të luhet mbrëmjen e së shtunës së 15 janarit në stadiumin “Air Albania” duke filluar nga ora 19.45, ndërkohë që po të shtunën, do të luhen edhe dy takimet e tjera. Në orën 13.45 Skënderbeu pret në Korçë Laçin, ndërkohë që 16.45 luhet në “Elbasan Arena” sfida tjetër, Kukësi-Dinamo.
Dy takimet e tjera të javës së 16-të të Superiores do të luhen të dielen me çiftet Egnatia-Partizani dhe Kastrioti-Teuta, takime këto që janë planifikuar të luhen që të dy në orën 13.45, respektivisht në “Arena Egnatia” dhe stadiumin e Kamzës.