Roco Vata, ose siç na pëlqen ta quajmë djali i shkodranit Rudi Vata, nuk di të ndalet. Protagonist kryesor në klubin e tij Sëlltik i Gllazgout, pikërisht aty ku i ati bëri histori si i pari shqiptar që arriti të fitojë Kupën e Skocisë. Por, në të njëjtën kohë, shumë i suksesshëm edhe si titullar i Kombëtares së Irlandës për U-17, golat e të cilit kontribuan që kombëtarja irlandeze të shkonte në raundin Elitë të Europianit.
Roco, prej ditësh është i grumbulluar me Kombëtaren U-17, ndërkohë që në kuadrin e përgatitjeve për miniturneun e dytë të UEFA-s, Kombëtarja U-17 e Irlandës luajti të shtunën një miqësore në Spanjë duke u përballur me kombëtaren e Belgjikës.
Një miqësore shumë e dyluftuar, e cila u duk se do të përfundonte në barazim 0-0. Por, peër këtë nuk ka qënë dakord Roco Vata, i cili që në limitin e krejt ndeshjes ka tundur rrjetën belge duke i dhënë fitoren Irlandës U-17. Gol i cili është shoqëruar me shumë komente mediatike, jo vetëm për mënyrën profesionale të shënimit të tij, por më së shumtmi edhe për përformancën shumë pozitive që ai shfaqi gjatë të gjithë ndeshjes.
Nga sa bëhet i ditur, për vetë ecurinë e tij në këtë moshë të re 17 vjeçare, emri i Roco Vatës po radhitet ndër më të mirët e kontinentit europian, duke bërë që vemendja ndaj tij te jetë e madhe nga ana e menxherëve për vazhdimësinë e karrieres së tij sportive.
Kohë më parë është folur shumë për këtë djalosh të talentuar, që ka në disponim tre pasaporta, atë të Shqipërisë për nga nga i ati, të Skocicë ku jeton aktualisht familja Vata, si dhe të Irlandës për nga e ëma.
Për momentin ai po luan me kombëtaren U-17 të Irlandës, por shërbimet e tij i ka kërkuar edhe Skocia dhe Shqipëria. Dëshira e shumë shqiptarëve është që Rocon ta shikojnë me uniformën kuqezi, aty ku i ati, Rudi Vata ishte lidër dhe kapiten skuadre. Nga sa është thënë, por që edhe vetë Rudi Vata e ka konfirmuar mediatikisht, mundësia që Roco të luajë për Shqipërinë ekziston. Por, realisht, të paktën gjatë periudhës së fundit bëhet e ditur se nga drejtuesit e grupmoshave të kombëtares shqiptare nuk ka qënë interesimi i duhur për një gjë të tillë.