Saturday, November 23, 2024

Rrëfimi i Zabaletës: Shqipëria, eksperiencë e shkëlqyer. Me mbështetjen e tifozëve luajmë për 3 pikët me Moldavinë

Lexo

Pablo Zabaleta është padyshim një nga futbollistët më të famshëm argjentinas e që ka luajtur për vite me radhë në nivele të larta të futbollit europian. Ish-mbrojtësi i famshëm iu bashkua ftesë së Silvinjos për t’u bërë pjesë e stafit teknik të Kombëtares shqiptare në muajin janar dhe nisin një rrugëtim të ri me ngjyrat kuqezi në rolin e ndihmës-trajnerit.

Teksa rrëfen eksperiencën e tij të re, Zabaleta shprehet i impresionuar me gjithçka ka gjetur në Shqipëri dhe shpreson që të vazhdojë sa më gjatë këtu, ndërkohë që tregon për punën e madhe që stafi teknik ka bërë në këto muaj të parë

“Më duhet të them se rrugëtimi ka qenë i pabesueshëm, ne erdhëm me Silvinjon për herë të parë këtu në janar. Ka qenë një eksperiencë e bukur të them të drejtën, në çdo drejtim. Kompleksi i ri stërvitor, zyrat, qyteti i Tiranës, sepse ne kalojmë shumë kohë këtu në Shqipëri. Moti, ushqimi i mirë, njerëzit na kanë dhuruar një kohë të shkëlqyer në Shqipëri. Shpresojmë të vazhdojmë ta shijojmë këtë eksperiencë dhe kemi disa ndeshje para nesh, por eksperienca e kaluar këtu deri më tani ka qenë shumë e mirë.

Kalojmë orë të tëra duke punuar në zyrë, duke parë videot e lojtarëve, sepse duam t’i njohim edhe më mirë lojtarët shqiptarë. Para se të vinim njihnim disa prej tyre, por duhet të përgatisnim një listë të madhe me emrat 40 apo 50 lojtarëve, jo vetëm me ato që luajnë jashtë, por edhe të kampionatit shqiptar. Kështu që në fund duhet të kesh një listë finale me 23 ose 26 lojtarë, por ne mbajmë në vëzhgim një listë me rreth 50 lojtarë”, – thotë ndihmës trajneri i Kombëtares në një intervistë të dhënë për Fshf.org.

Më tej, argjentinasi ndalet te debutimi me Poloninë dhe impakti që ka pasur me lojtarët shqiptarë, duke vlerësuar përkushtimin dhe punën e bërë nga grupi kuqezi. Për Zabaletën është shumë e rëndësishme që të shfrytëzohet ajo që u ndërtua me punë e mund në sfidën e marsit për të vijuar përgatitjet me synimin për t’u përmirësuar për dy ndeshjet e qershorit, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

“Kemi udhëtuar në Itali, Angli apo Spanjë për t’u takuar me të gjithë lojtarët dhe më pas kur erdhi ndeshja me Poloninë 10 ditë para sfidës ne përzgjodhëm 23 lojtarët që menduam se ishin të duhurit për atë ndeshje. Ka qenë diçka shumë e bukur, kemi punuar të paktën për 10 ditë me lojtarët dhe ka qenë e mrekullueshme. Është diçka ndryshe se kur i ke lojtarët këtu në Tiranë punon me ta shumicën e kohës në fushë, nuk je gjithë kohës duke punuar në zyrë, dhe ndërveprimi mes lojtarëve dhe stafit teknik para Polonisë ishte shumë i mirë. Për fat të keq, nuk morëm pikë ndaj Polonisë, por mendoj se paraqitja jonë ishte shumë e mirë.

Silvinjo dhe i gjithë stafi ishin të lumtur për mënyrën se si lojtarët u paraqitën ndaj Polonisë, sjellja e tyre gjatë grumbullimit, ka qenë të jashtëzakonshëm. Dhe ne nisemi nga ajo që kemi ndërtuar në ndeshjen e parë dhe tani presim të ritakohemi me lojtarët, mbase mund të ketë edhe fytyra të reja, të shohim. Por më e rëndësishme është të ndërtojmë diçka të mirë për lojtarët, për stafin teknik, për kombëtaren dhe për shqiptarët”, – theksoi Zabaleta.

Më tej, ai ka edhe një mesazh për tifozët shqiptarë në një kohë që Kombëtarja do të nisë shumë shpejt përgatitjet për dy ndeshjet shumë të rëndësishme në kualifikueset e Euro 2024. Ndihmësi trajneri është i bindur se Shqipëria do të bëjë një paraqitje të mirë ndaj Moldavisë dhe tifozët do të krijojnë një atmosferë fantastike.

“Mesazhi im për tifozët shqiptarë, uroj që ata të shijojnë një ndeshje të bukur, kemi shumë nevojë për ta, duhet të krijojmë një atmosferë në stadium. Kam parë derbin e kryeqytetit dhe disa ndeshje të tjera në Shqipëri, dhe kam kuptuar që tifozët në Shqipëri janë të ngjashëm me ata të Amerikës Latine, shumë të apasionuar pas futbollit.

Nëse krijojmë një atmosferë të bukur për ndeshjen me Moldavinë në shtëpi, do të ishte fantastike për lojtarët tanë dhe sigurisht duhet të bëjmë një paraqitje të mirë për të marrë tre pikët, sepse në fund të ditës pikët janë më të rëndësishme se çdo gjë. Shpresoj të kemi sa më shumë tifozë në stadium për ndeshjen e radhës dhe atmosfera duhet të jetë sa më mirë”, – tha ndër të tjera Pablo Zabaleta në rrëfimin e tij për Fshf.org.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img