Egnatia-Vllaznia 3-0 (Shënues: Delarge 22′, Musta 24′, Camaj 62′)
E shtunë, 10 shtator 2022, ora 15:00, stadiumi “Arena Egnatia”-Rrogozhinë
EGNATIA – Sherri; Kacbufi, Atanda, Malota; Fangaj, Zejnullai, Fernando, Xhekson, Musta; Delarzh, BamBam. Trajner: Edlir Tetova.
VLLAZNIA – Zogoviç; Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Smajli; Jonuzi, Boshnjaku, Heriç; Mala, Kaina Nunjesh, A. Hoxhaj. Trajner: Mirel Josa.
Arbitër kryesor – Kreshnik Cjapi (Fier), Asistent i parë – Ilir Tartaraj (Fier), Asistent i dytë – Orgest Grabova (Fier). Arbitër i katërt – Dorjan Maletaj (Tropojë)
VAR – Olsion Yzeiraj (Patos)/AVAR – Marjus Qose (Lushnje)
Edhe pse kishte ndodhur një vit më parë që Egnatia të mundte Vllazninë në “Arena Egnatia” me rezultatin 3-0, pak kush, ose më saktë askush nuk mund ta merrte përsipër të parashikonte një rezultat të tillë edhe në sfidën e sotme.
Por, realitet foli ndryshe. Është përsëri skuadra e Egnatias, e cila surprizon të gjithë opinionin sportiv teksa sfidon Vllazninë e Shkodrës duke e mundur atë me rezultatin e pastër 3 me 0.
Një fitore kjo plotësisht e merituar për rrogozhinasit e drejtuar nga trajneri Edlir Tetova, por që padyshim, krahas treshes së autorëve të golave Delarge 22′, Musta 24′, Camaj 62’, ka brenda edhe kuartetin ish kuqeblu. Portjerin Alen Sherri së bashku me dy mbrojtësit Abdurrahman Fangaj dhe Renato Malota në fushën e lojës, si dhe Ndriçim Shtubinën në rolin e drejtuesit sportiv të klubit rrogozhinas.
Referuar ecurisë së takimit duhet thënë se që nga fillimi dhe deri në fund, Egnatia ishte dominuese e krejt ndeshjes. Pasi çlirohen nga emocionet e fillim takimit, vedndasit sulmojnë pa pushim portën e Vllazninë dhe falë problemeve në mesfushë dhe mbrojtje që po vazhdojnë të jenë të shpeshta, pësohen dy gola njëri pas tjetrit në harkun kohor të 2-3 minutave.
Protagonisti kryesor është Musta, fillimisht me pasin e golit për Delarge në të 22-tën minutë dhe më pas është vete ai që pas një këmbëngulje shembullore në të 24-tën, shënon në portën e Zogoviç.
Kuqeblutë kërkojnë të reagojmë, por pa sukses duke shkuar në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve në disavantazh 2-0. Me ndërrimet e bëra në pjesën e dytë, të duket se diçka po lëviz në formacionin kuqeblu. Por, nga ana tjetër janë përsëri vendasit që ndëshkojnë Vllazninë. Këtë radhë është, shqiptaro-malazezi Ilir Cmaj, që duke ardhur nga stoli godet rëndë Vllazninë duke i shënuar golin e tretë pas fitimit të një lufte ajrore me mbrojtësit shkodranë.
Është minuta e 62-të, kur Camaj ka vulosur avantazhin 3-0 për Egnatian, dhe në fakt koha në dispozicion për të ndryshuar është e mjaftueshme, por Vllaznia nuk ka pikë force për një gjë të tillë. Madje, nëse Mihana nuk do të shpërdoronte atë rast të artë të minutës së 89-të, Egnatia mund të fitonte me shifra edhe më të thella.
Vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit kryesor, Kreshnik Cjapi, zyrtarin fitoren e Egnatias ndaj Vllaznisë me rezultatin 3-0. Dhe, përtej emrave të klubeve me një nivel tejet të ndryshëm në traditë, për ta përforcuar edhe më shumë peshëm e humbjes së kuqebluve në rang historie të të dy qyteteve kundërshtare në këtë ndeshje, mund edhe të thuhet, Rrogozhina mundi Shkodrën 3-0!
Gaspër MARKU