Kombëtarja U-19 ka organizuar një seleksionim me 33 lojtarë të vitlindjes 2005-2006 me stafin teknik që kishte ftuar një pjesë të mirë të lojtarëve që mund të jenë pjesë e skuadrës në turnetë e ardhshëm.
Trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu dhe ai i Kombëtares U-18, Ardi Behari e organizuan seleksionimin këtë të martë në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz për të testuar lojtarët me të spikatur të kësaj grup-moshe. Një pjesë e tyre janë tashmë pjesë e Kombëtares U-19, ndërsa u ftuan lojtarë që vijnë nga Kombëtaret U-17 e U-18 si edhe disa lojtarë që vinin nga jashtë posaçërisht për t’u provuar në radhët e kuqezinjve.
Pas seancës stërvitore dy trajnerët kanë ndarë në grupin në dy pjesë duke zhvilluar një ndeshje kontrolli midis Kombëtares U-19 dhe Kombëtares U-18. Të gjithë lojtarët janë aktivizuar, ndërsa stafi teknik ka marrë përgjigje pozitive nga i gjithë grupi, me të ftuarit që kanë treguar vlera dhe përkushtim të madh për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare.
Ky grup lojtarësh do të testohen dhe do të mbahen në monitorim në vazhdimësi qoftë nëpërmjet seleksionimeve qoftë edhe në ndeshjet miqësore që do të organizohen në muajt në vazhdim. Synimi i stafit teknik është që të vëzhgojë nga afër zhvillimin dhe ecurinë e lojtarëve me klubet në mënyrë që të përftohen sa më shumë elementë cilësorë për ekipet kombëtare të moshave.