“Ne jetojmë në Shqipëri dhe zërat janë përditë, përditë nga një gjë e re, opinione e hamendësime. Më vjen mirë që skuadra nuk ndikohet e luan, ndaj një kundërshtari të fortë, nga momenti në moment të godet. Skuadra gjeti forcat të kthehet në lojë pas barazimit dhe e kemi merituar. Kundërshtari nuk na ka rrezikuar, mund të kishim shënuar më shumë. Nuk ndikohemi nga opinionet e hamendësimet, nuk na shqetësojnë sido që të jenë e të shkojë ndeshja.”, është shprehur tekniku i bardhebluve, Orges Shehi, duke iu përgjigjur edhe aludimeve për tolerim, pas ndeshjes, Tirana-Vllaznia, e cila përfundoi me fitoren e skuadrës bardheblu me rezultatin 3-1.
Më pas, Shehi kërkon të përgëzojë skuadrën për atë që dha në fushën e lojës. “Është për t’u përgëzuar skuadra që edhe pasi ka fituar kampionatin e interpretoi me seriozitet, jo si në fillim se kemi bërë ndonjë ditë më shumë pushim, por e treguan veten duke respektuar kampionatin e duke u treguar seriozë.”, tha ai.
I pyetur për rinovimin e tij sërishmi në krye të Tiranës, Shehi, tha: ”Nuk është se na ndajnë shumë gjëra, janë disa detaje që kurrsesi nuk janë paratë. Ajo që kam kërkuar është që të ruhet skuadra dhe të bëjmë disa përforcime. Kam marrë garanci që nuk do të ketë lëvizje. Pastaj janë çështje të vogla jo drejtpërdrejt që kanë të bëjnë me mua po edhe me stafin, duhet të respektojmë profesionalizmin dhe këtë po kërkojmë.”