Friday, April 26, 2024

Zhgënjen Vllaznia, humbja me Tiranën e sposton në vendin e pestë. Teuta e kërcënon me 3 pikë më pak në vendin e gjashtë

Lexo

Tirana-Vllaznia 3-1

(Shënues: Seferi 8′, Totre 39′ , Xhixha / Zhivanaj 23′ (autogol))

E shtunë, 14 maj 2022, ora 17:15, stadiumi “Selman Stërmasi” i kryeqytetit

TIRANA: Bekaj, Najdovski, Zhivanaj, Behiratçe, Përgjoni, Ismajlgeci, Hoti, Totre, Toli, Xhixha, Seferi. Trajner: Orges Shehi

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Hakaj, Bulatoviç, Krymi, Jonuzi, Latifi, Da Silva, Aralica, Çoba. TRajner: Elvis Plori

Gjyqtar: Kreshnik Cjapi, Ridiger Çokaj, Ani Kodaj-I katërt: Daniel Vrapi

Vëzhgues: Ervis Peza-Delegat:

VAR: Enea Jorgji-AVAR: Alfred Shkreta

Me Tiranën e konfirmuar kampione e Shqipërisë, dhe pozitat jo motivuese të skuadrës bardheblu, shumë kush, përpara ndeshjes, Tirana-Vllaznia e mendonte disi të lehtë fitoren e kuqebluve. Madje, në opinion qarkullonte edhe një lloj ideje, që Tirana do të toleronte për t’i hapur portën Vllaznisë, e cila nga ana e saj, do të lejonte Seferin të shënonte për të fituar “Këpucën e Artë”.

Madje, kur Seferi shënoi shumë shpejt, që në 8-tën minutë në portën e Zogoviç, dhe Zhivanaj shkaktoi autogol në minutën e 23-të duke e barazuar rezultatin në 1 me 1, një opinion i tillë, sikur u përforcua edhe më shumë.

Por, nuk ndodhi as njëra as tjetra, sepse e gjithë ndeshja ishte më se reale. Madje, duke parë me vemendje golin e përsëritur në TV të Seferit, nuk lë asnjë vend për hamendësime të tilla, sepse mjeshtria e përpunimin të topit nga ana e tij në hyrje të zonës së rreptësisë shkodrane, nxori skarco tentativën për ndërhyrje të Bulatoviç duke i dhënë mundësi Seferit ta godasë sferën për në rrjetën e Zogoviç.

Sidoqoftë, pas barazimit të shifrave në 1-1, por edhe të një penalltie të dhënë në favor të Tiranës, por që u anolua nga sistemi VAR, Vllaznisë iu krijuan shanset për të përfituar në marrjen e situatës në dorë.

Por, ndodhë e kundërta. Kuqeblutë janë të plogësht në veprime, të paqartë dhe të pafuqishëm për të kërcënuar portën kundërshtare. Për vetë nevojën e pikëve që i duheshin Vllaznisë duhej më tepër ngulmim, presion dhe ritëm në portën kryeqytetase në kërkim të golit të avantazhit, gjë, që nuk u shikua fare në radhët e kuqebluve.

Nga ana tjetër, falë një tjetër përgjumje të mbrojtjes kuqeblu, është  Totre që përfiton në minutën e  39-të duke shënuar golin e dytë për Tiranën që e mbyllë pjesën e parë në avantazh, 2-1. Ndërkohë, që me rastin flagrant të Seferit, topi i të cilit shkon në shtyllën pingule të Zogoviç, kjo pjesë e parë mund të mbyllej edhe 3-1 për vendasit.

Një nisje më mirë e pjesës së dytë për Vllazninë, së cilës i vjen në ndihmë edhe kartoni i kuq dhënë për Zhivanajn, por kuqeblutë përsëri nuk shfrytëzojnë asgjë.

Përkundrazi, Tirana godet përsëri me Xhixhen duke e çuar në 3-1 avantazhin. Seferi, për të cilin e gjithë skuadra bardheblu ishte e përqëndruar dhe e angazhuar për ta furnizuar me topa në kërkim të golave të “Këpucës së Artë”, shpërdoron shumë raste shënimi, njëri prej të cilëve shkon përsëri në shtyllën pingule të Zogoviçit.

Është po Seferi, që me një depërtim të fuqishëm drejt zonës kuqeblu, detyron kapitenin Gurishta ta ndalë me faull, ndërkohë që gjyqtari Cjapi nxjerrë të kuqen duke barazuar kartonët e kuq në të dy kampet respektive.

Tekniku kryeqytetas Shehi freskon formacionin duke hedhur në fushë lojtarët e stolit, por Vllaznia përsëri nuk përfiton. Madje, çudit me lojën e saj apatike, kur duhet të ishte e tëra në portën bardheblu në kërkim të golave të barazimit, pse jo edhe të fitores.

4 minuta shtesë, dhe më pas vërshëllima përfundimtare e Kreshkit Cjapit për mbylljen e gjithë ndeshjes, duke fiksuar shifrat, 3-1 për Tiranën. Fitore morali, kjo ga ana e Tiranës që edhe pse është shpallur kampin, vijon të luajë pa kompromis.

Ndërkohë, Vllaznia, me këtë humbje prish jo pak planet e përfshirjes në zonën Europiane përmes kampionatit. Tre pikët e humbura sot, e zbresin atë në vendin e peste duke rrezikuar seriozisht objektivin.

Pas Tiranës kryesuese me 73 pikë dhe Laçit të vendit të dytë me 63 pikë që sot mundi Skënderbeun në Korçë, 1-2, është Partizani me 52 pikë i cili fitoi minimalisht në Rrozhinë ndaj Egnatias 0-1. I katërti është Kukësi me 49 pikë që sot mundi Dinanon 1-0 duke zyrtarizuar blutë një kategori më poshtë.

Madje, tashmë është zgjuar edhe Teuta, e cila me fitoren e sotme ndaj Kastriotit, është vetëm tre pikë më pak sesa Vllaznia në vendin e gjashtë, pozicion që e ngacmon edhe atë për të synuar Europën.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img