Është produkt i Akademisë së Futbollit Vllaznia, por për skuadrën e qytetit të tij nuk është ka luajtur shumë, pasi ka pasur rastin të lëvizë në disa skuadra të tjera, ku së fundmi suksesin më të madh po e shënon me ekipin krutan, Kastrioti.
Falë cilësisë dhe kontributeve që po jep në skuadrën krutane, Karakaçit i është besuar shiriti i kapitenit, ndërkohë që është shndërruar në një lidër të vertetë për skuadrën e tij.
I tillë ishte Abaz Karakaçi edhe sot në sfidën Egnatia-Kastrioti, takim ky i mbyllur me rezultatin e barabartë 0-0. Një ndeshje ku Karakaçi mori vlerësimet maksimale si lojtari i ndeshjes.
Në prononcimin e dhënë për Over Sport pas ndeshjes, shkodrani i krutanëve është i mendimit se ekipi i tij luajti më mirë se Egnatia dhe se e meritonte fitoren.
“Barazimi mendoj se me lojën që zhvilluam, lamë dy pikë se kishim shumë raste. Egnatia ka ekip shumë të mirë dhe besoj se do të jetë ekip pretendent për lart se është ekip i mirë. Sot dominuam në lojë se kishim raste, pavarësisht se edhe me një pikë jemi të kënaqur.
Edhe unë besoj se i rri korrekt të gjithë detyrave që më jep trajneri se objektivi kryesor i klubit është të marrim pikë dhe unë mundohem të bëj maksimumin ku më thotë trajneri. Pavarësisht nëse e dallojnë apo jo tifozët, unë mundohem t’i shërbej ekipit dhe trajnerit që beson te unë. Dhe ne besojmë te ai se ka bërë një punë shumë të mirë.
Duhet të përmirësoj pak goditjen në portë, se po diskutoja edhe me trajnerin që ka 2-3 muaj që nuk po bëj goditje në portë, qoftë edhe në stërvitje. Por duhet të përmirësohem edhe më shumë në këtë aspekt”, përfundoi prononcimin e tij, kapiteni i krutanëve, Abaz Karakaçi.