Tashmë nuk ka më asnjë dyshim që shkodrani, Erald Çinari do të largohet nga kampionati shqiptar. Pas aktivizimit në radhët e Partizanit ku bëri më të mirën e tij, karriera e tij sportive do të vijojë në kampionatin turk pranë skuadrës Samsunspor. Nga sa është bërë me dije edhe më herët, Çinari vetëm dy ditë pas ndeshjes, Partizani-Vllaznia, kishte firmosur një parakontratë me skuadrën turke. Ndërkohë, për të shkuar më tej, konfirmimi për një gjë të tillë ka ardhur edhe nga njëshi i klubit Samsunspor, Yuksel Yildirim, i cili ka bërë të ditur se që nga java e ardhshme, Çinari do të jetë në zyrat e klubit turk për të firmosur kontratën përkatëse.