Përfaqësuesja kuqezi vazhdon përgatitjet në Kompleksin Sportiv “Tropikal” të Durrsit në prg të dy ndeshjeve miqësore që do të zhvillojë ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke, respektivisht më 5 dhe 8 qershor. Në konferencën për shtyp të organizuar nga zyra e shtypit e FSHF-së, ishte edhe sulmuesi shkodran, Bekim Balaj, i cili u shpreh i lumtur që është pjesë e skuadrës kuqezi dhe se dy miqësoret janë një test i rëndësishëm.
“Kënaqësi dhe vlerësim i madh për mua sa herë vesh fanellën e ekipit Kombëtar, sa herë që marr ftesën. Emocioni është i madh, si herën e parë që jam ftuar. Këto ndeshje, edhe pse miqësore, për ne kanë vlerësimin maksimal, pasi edhe kundërshtarët që luajmë, janë thuajse të ngjashëm me ata që kemi në grup dhe kundërshtarët tonë direkt si Hungaria dhe Polonia. Sigurisht, për të gjithë ne, këto ndeshje janë një test para këtyre sfidave dhe përqëndrimi dhe vlerësimi janë maksimal. Duhet të bëjmë më të mirën që të shohim, a jemi apo jo gati për këto dy ndeshje dhe për kundërshtarët që na presin”, tha në fillim shkodrani kuqezi.
Më pas, ai flet edhe për formën e tij sportive, si dhe për grupin në përgjithësi. “Ndihem mirë, e rëndësishme është që nuk kam asnjë dëmtim. Fundi i sezonit, jemi grumbulluar më herët, në mënyrë që të kemi ditë në dispozicion për stërvitje dhe të bëhemi gati në mënyrën më të mirë të mundshme për këto dy sfida. Mendoj se është konsoliduar grupi pak a shumë. Ndryshimet nuk është se kanë qenë të mëdha. Kemi pasur dy kundërshtarë të lehtë dhe të kalueshëm në letër, siç edhe i morëm pikët maksimale me ato kundërshtarë. Ndeshja me Anglinë, ishte një ndeshje që ndoshta mendohej si e humbur, ashtu edhe ndodhi. Mendoj se deri diku, rezultati ishte i ngjeshur dhe mund të provonim ndoshta më shumë. Por ne nuk duhet të masim forcat me Anglinë, mendoj se sfida të vërteta për ne janë sfidat e ardhshme dhe kundërshtarët tanë direkt në grup. Shohim këto ndeshje dhe këtu duhet të përmirësohemi më shumë”.
Sa i përket obkjektivave të kombëtares, Balaj thotë se “duhet t’i marrim maksimumin këtij Botërori dhe sigurisht që jemi në lojë dhe ndeshjet dhe kundërshtarët tanë realë i kemi përpara. Të bëjmë më të mirën dhe të bindemi në qoftë se do jemi gati t’i marrim maksimumin këtyre ndeshjeve të Botërorit apo është thjesht një përgatitje për Europianin. Polonia nuk është si Portugalia e atij viti që luajtëm, por që ndoshta mund të krahasohet me Anglinë e grupit tonë. Kështu që janë kundërshtarë që përballojnë, që do luajnë dhe mendoj që paraqitjet do të jenë të mira, por në fund do jenë pikët ato që do vlejnë më shumë”.
I ngacmuar për komentet mediatike, të cilat nënvizojnë se Balaj mund të firmosë në një nga skuadrat e Superiores shqiptare, ai e hodhi poshtë një version të tillë. “Janë zërat e merkatos, të gjithë kanë të drejtën të flasin dhe të komentojnë por në planet e mia nuk është kthimi në Shqipëri për momentin”, sqaroi shkodrani i kombëtares, Bekim Balaj.