I lënë në harresë prej shumë e shumë javësh, Kristian Vulaj është shfaqur në fushën e lojës të shtunën e kaluar në miqësoren që Vllaznia zhvilloi me Kastriotin në stadiumin “Loro Boriçi”.
Shqiptari me banim në Tuz të Malit të Zi, i cili përpara se të vinte tek Vllaznia ka qënë ndër më të spikaturit e kampionatit malazez, madje duke qënë edhe pjesë e kombëtares së shtetit fqinj.
Edhe pse firmosja me Vllazninë pritej ta gjente atë titullar në formacionin kuqeblu, për arsye nga më të ndryshmet, duhet thënë se pjesa e parë e sezonit ishte për tu harruar nga ana e tij.
Por, viti i ri 2023, duket se ka filluar me sinjale pozitive për Vulajn. I hedhur në fushën e lojës në pjesën e dytë të miqësores ndaj Kastriotit, shqiptaro-malazezi nuk vonoi të shfaqej protagonist.
Në ndryshim nga aktivizimet e mëparshme, ndaj krutanëve, veprimet e Vulajt ishin me të vertetë impresionuese. Shumë i qetë në përpunimin e topit, ku sa e merrte në dorëzim, e adresonte në mënyrën më të mirë tek kolegët e tij të sulmit. “Topa goli” këto, siç quhen në gjuhën sportive, sidomos një i tillë për Çobën, ku mundësia e shënimit ishte mëse ideale.
Të gjithë këto, bënë që tifozëria e pranishme në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” të mos ia kursente duatrokitjet, madje duke shkuar deri aty, sa të brohorisnin, “Vulaj-Vulaj!” Entuziazëm ky që kishim kohë pa e konstatuar në adresë të një futbollisti kuqeblu.
Ndonëse, më herët në kampin kuqeblu janë shfaqur opsione të tilla për largimin e ndonjë futbollisti në merkaton e janarit, mes të cilëve është përmendur edhe rasti Vulaj, tashmë duket se situata për këtë futbollist ka marrë një kthesë tjetër pozitive. Që do të thotë, se me atë çfar u pa edhe në miqësoren me Kastriotin, stafi teknik dhe drejtuesit, pritet të kenë një vemendje krejt tjetër sa i përket minutave që mund të marrë në formacionin kuqeblu.