Jemi në ditë festash të fundvitit 2021, por edhe pse aktivitetet sportive do të jenë pushim deri nga mesi i muajit janar, puna brenda klubeve përkatëse vijon të jetë aktive, sidomos sa i përket lëvizjeve në merkato.
Por, punë, dhe madje jo të vogël, bëhet edhe në masën e tifozërisë shkodrane, e cila për hirë të së vertetes jeton non stop me emocionet e skuadrës së zemres. Ndeshja e fundit e vitit 2021, ajo e 23 dhjetori e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Kukësit që përfundoi në barazim 1-1, dha një sinjal pozitiv në lidhje me praninë e tifozëve kuqeblu në shkallët e stadiumit.
Dhe, kjo falë faktit, sepse përpos grupit “Power 12” që për hirë të së vertetes ka qënë besnik i ndjekjes së skuadrës, brenda dhe jashtë rrethit, janë rikthyer edhe grupimet e tjera duke i dhënë më gjallëri entuziasmit në shkallët e stadiumit. Pozitiv është fakti, kur mëson se mes grupeve përkatëse ka filluar mirëkuptimi për një bashkim unik të të gjithëve në mbështetje të Vllaznisë, duke nisur që nga ato më të vjetrat që përfaqësohet me një nga emrat më të spikatur, si Tut Rrahmani, dhe deri tek më të rinjtë, ato që me aq shumë energji, passion e vullnet, kërkojnë të jenë të parët në vijën e frontit për të shpërthyer në brohoritjet e zakonshme, Vllaznia-Vllaznia.
Në këtë mes, rregullatori kryesor është KF Vllaznia, ku drejtuesit kryesor duhet të ulen me përfaqësues të të gjitha grupimeve për të përcaktuar kriteret, favoret, të drejtat por edhe detyrimet që antarët e tyre duhet të kenë në atë bashkëpunim të mundshëm zyrtar, Klubi-Tifozëri. Nga sa mësohet, takimet e para mes palëve kanë nisur, dhe shumë shpejt do të mësohet edhe produkti i marrëveshjeve në fjalë, në mënyrë që fillimi i vitit, që kulmon me kryendeshjen, Tirana-Vllaznia, dhe të tjerat në vazhdim, ta gjejë sa më të organizuar tifozërinë shkodrane.