Barcelona ka shkatërruar me shifrat 4-0 Real Madridin në “El Clasico”, në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Skuadra e Xavit ishte dominuese gjatë gjithë takimit, duke mos e vendosur në diskutim për asnjë moment fitoren.
Pritej një ndeshje e luftuar dhe në fillim ishte Reali që krijoi disa raste, por pastaj mori gjithçka nën kontroll Barcelona, e cila gjeti golin e parë me një gjuajtje me kokë të Aubamejang, pas asistit të Dembele. Ishte përsëri francezi ai i cili harkoi në zonë për golin e dytë nga Arauho pas një goditje nga këndi, duke dyfishuar shifrat e lënë të shtangut vendasit.
Pa filluar mirë pjesa e dytë, erdhi edhe goli i tretë, me Torres i cili tundi rrjetën pas asistit të Aubamejang. Spanjolli i theu borxhin shokut të skuadrës pak minuta më vonë, duke çuar rezultatin në 4-0. Vetëm ndërhyrjet e Kurtua evituan një goleadë më të thellë për skuadrën e Ançelotit e cila kapitulloi pa kushte dhe pësoi humbjen më të thellë të kampionatit, që për fatin e mirë të tyre, nuk do të ndikojë në luftën për titull ku Reali mbetet i shkëputur në kryesim.
Me këtë fitore, Barcelona mban vendin e tretë me 54 pikë, ndërsa Reali qëndron në krye me 66 pikë.