Thursday, November 21, 2024

Sporti shkodran humb një kampion. Ndahet nga jeta në moshën 81 vjeçare, shahisti Muhamet Gradeci, fituesi i 7 trofeve si trajner i Vllaznisë së femrave dhe një me meshkujt

Lexo

Shkodrës po i largohen një nga një figurat e spikatura që kanë bërë histori në fushën e sportit. Njëri prej tyre, është edhe shahisti i mirënjohur Muhamet Gradeci, i cili në moshën 81 vjeçare mbylli sytë duke u ndarë nga familja dhe njerëzit e tij të afërm, por edhe nga familja e madhe e sportit të shahut, që aq shumë ai i shërbeu në vite.

Lajmin e ndarjes nga jeta të ish kampionit të shahut shqiptyar, Muhamet Gradeci e ka përcjellë për djali i tij, Alket Gradeci, i cili në rrjetet sociale, shkruan:

 “Babai yne i dashtun Muhamet Ymer Gradeci (Gimi) nderroi jete sot. Babe, qofsh i Xhehnetit dhe te kujtofshim gjithmone ashtu siç jetove, plot me gaz, energji e miresi! Varrimi behet neser, date 6 Gusht 2024, ora 17.00. Pritja bahet tek salla “Bekteshi”, Zdralej ditet e marte, merkure dhe enjte.”

Për lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të ish kampionit të shahut shqiptar ka reaguar edhe institucioni i Bashkisë Shkodër, ku nëpërmjet një postimi zyrtar, i shpreh ngushëllimet familjes Gradeci për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe të gjithë botës së sportit.

 “Është ndarë nga jeta në moshen 81 vjecare Muhamet Gradeci, ish shahisti dhe trajneri i Vllaznisë në këtë sport. Muhamet Gradeci ka lindur në Shkodër më 2 prill të vitit 1943 dhe që i vogël e ka pasion sportin e shahut. Merr pjesë në aktivitetet e shkollave dhe më pas, gradualisht kalon tek ekipit e Vllaznisë derisa arrin tek të rriturit.

Dhe sukseset do të vijnë menjëherë. Vllaznia shpallet kampione kombëtare si ekip që në vitin 1983 e më pas edhe në vitet 1986, 1987, 1989 dhe 1990, pra 5 tituj kampionë. Njëkohësisht fiton edhe dy trofe si ekipi fitues i Spartakiadave Kombëtare në vitet 1984 dhe 1989.

Roli i tij si trajner i Muhamet Gradecit padiskutim që është ndjerë edhe në sukseset individuale të Ylvije Boriçit (4 tituj) dhe Albana Vujit (3 tituj).

Bashkia Shkodër i shpreh ngushëllimet familjes Gradeci për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe të gjithë botës së sportit.”

Me shumë keqardhje e kanë pritur lajmin e ndarjes nga jeta të ish kolegut, drejtuesit dhe mikut të tyre të afërt, edhe pjesëtarët e Unionit të Shahistëve të Veriut “Rozafa 07” që drejtohet nga sekretari i përgjithshëm Eduard Hoxha dhe kolegu i tij Bernard Leka, të cilët prej vitesh e kanë pasur të ndjerin Muhamet Gradeci një pikë referimi për sportin e shahut në Shkodër dhe më gjërë.

Karriera sportive e Muhamet Gradecit

Me sportin e shahut, Muhamet Gradeci do të lidhej që i vogël, kur në garat lokale të shkollave 8-vjeçare nisi të jepte sinjalet e para të një shahisti të ardhshëm të Vllaznisë. Nuk vonon, ku edhe pse në moshë të re, trajneri Çesk Jubani e bën Muhametin pjesë e ekipit të parë të të rriturve të Vllaznisë, në formacionin e të cilit do të vijojnte të konkuronte me dinjitet që nga viti 1970 deri në 1982.

Pikërisht, në vitin 1982, për Muhamet Gradecin do të fillonte një epokë e re të karrieres së tij sportive, pasi duke u vënë në drejtim të ekipit të Vllaznisë në shah për femra krijon një ansambël vajzash të talentuara, të cilat shumë shpejt bëhën lidër të shahut shqiptar.

Dy motrat Vuji, Albana dhe Marina, Ylvije Boriçi, Arta Alushi, Valbona Milla, janë pesë yjet e shahut shkodran dhe atij shqiptar që do të dominonin shahun shqiptar për një periudhë të gjatë kohore. Me trajnerin e tyre të mirënjohur Muhamet Gradeci në krye, këto vajza të talentuara e shpallin Vllazninë pesë herë kampione të Shqipërisë, përkatësisht në vitet 1983, 1986, 1987, 1989, 1990.

Por, nuk mjafton me kaq, sepse jehona dhe reputacioni i shahut shkodran do të shpërthente edhe në konkurimet e Spartakiadave të famshme kombëtare të asaj kohe, ku Vllaznia e drejtuar nga trajneri Muhamet Gradeci  arrin të fitojë titullin kampion dhe medaljet e arta në dy Spartakiadat radhazi, ato të viteve 1984 dhe 1989. Dora dhe profesionalizmi I trajnerit Muhamet Gradeci në ekipin e femrave ndjehet dukshëm edhe në shtatë titujt kampion individual të fituara nga sportistet e tij, katër prej tyre me Ylvije Boriçin dhe tre me Albana Vujin.

Një kontribut të çmuar Muhamet Gradeci ka dhënë edhe me ekipin e Vllaznisë për meshkuj, të cilin arrin ta shpallë kampion kombëtar në vitin 2008 me emra të tillë shahistësh, si: Aleksandër Paci, Franc Ashiku, Çlirim Guxho, Gëzim Noka, Bernard Leka, ku ky i fundit në vijim do ta pasonte në rolin e trajnerit tek Vllaznia.

Me ndarjen nga jeta të Muhamet Gradecit, shahu shkodran, por edhe ai shqiptar ka humbur një prej emrave më të spiakur në vite, sidomos kur bëhet fjalë për rolin e trajnerit duke u shpallur kampion kombëtar me të dy ekipet, femra dhe meshkuj.

Ndaj, portali Veriu Sport, i përcjell komunitetit të sportit të shahut ngushëllimet e sinqerta për humbjen e profesorit të tyre, dhe po kështu  familjes Gradeci per humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Lamtumirë professor Muhameti, pushofsh në paqe! Mirënjohje dhe respekt për çka i dhatë sportit shkodran dhe atij shqiptar në përgjithësi.

Gaspër MARKU, Shkodër, 8 gusht 2024

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img