Gjatë konferencës për shtyp dhënë paraditën e së martës në sallën e konferencave të shtypit për prezantimin e stafit teknik të Vllaznisë U-21, trajnerit anglez Dean Paul Sibson dhe kolegu i tij, Ergi Borshi, pati një shkëputje të energjisë elekrike. Ishte pikërisht momenti kur trajneri anglez Dean Paul Sibson po komunikonte me gazetarët, që regjistroi rastin në fjalë.
Vonesa e rikthimit të energjisë në sallën e konferencave të shtypit detyroi gazetarët që të improvizonin me mjetet e tyre ndriçimin e sallës për të vijuar konferencës, ndërkohë që më pas, me interesimin e drejtuesve të klubit Vllaznia energjia u rikthye duke vijuar me normalitetin e zhvillimit të konferencës së shtypit. Rasti në fjalë shërbeu si shkak për të ngritur shqetësimin për marrjen e masave të eleminimit të një defekti të tillë, sepse raste të tilla mund të ketë edhe në vazhdim.
Në raste të tilla, referuar impianteve moderne siç është edhe ky i stadiumit “Loro Boriçi”, ku ka shkëputje të energjisë elektrike të linjës kolektive me qytetin, aktivizohet automatikisht gjeneratori rezervë që bën të mundur furnizimin me energji deri në rikthimin e energjisë së rrjetit ekzistues.
Në rastin konkret drejtuesit e klubit bënë të ditur se stadiumi nuk ka gjenerator reserve për raste të tilla. Nga sa mësohet, më herët, stadiumi ka qënë i pajisur me një gjenerator të tillë, ndërkohë që aktualisht kur edhe investimi është madhor, nuk ekziston një gjë e tillë.
Ndaj, ndoshta është momenti i duhur që rasti në fjalë të shërbejë si nxitje për Bashkinë Shkodër që administron stadiumin “Loro Boriçi” për të marrë masat e duhura me pajisjen e një gjeneratori bashkëkohor që për raste emergjente të aktivizohet automatiksisht duke rikthyer energjinë në mjesidet e stadiumit. Sot ishte një konferencë shtypi me mediat lokale dhe ato kombëtar, por nëse ndodhë një gjë e tillë me konferenca të tilla kur ka ndeshje ndërkombëtare, kur edhe mediat e huaja janë të shumta të pranishme, problematika do të ishte edhe më e madhe. Shpresojmë dhe besojmë që apeli ynë të shkojë në veshin e duhur!