Një sulm me armë zjarri ka ndodhur këtë të enjte në selinë e Federatës Turke të Futbollit, ndërsa bordi ndodhej në një mbledhje brenda. Gjithsesi, bëhet e ditur se askush nuk u lëndua në këtë sulm.
Sipas agjencisë private të lajmeve DHA, shtatë plumba u qëlluan nga jashtë ndërtesës, duke synuar zyrën e presidentit të Federatës, si dhe një sallë konferencash që ndodhet në katin e poshtëm.
Nga sa mësohet, një plumb ka kaluar mbi kokën e Hamit Altintopit, ish-lojtar i Kombëtares dhe anëtar aktual i bordit, ndërsa të tjerët janë përplasur në zyrën e presidentit të federatës.
Sipas mediave turke, autorët janë larguar me makinë, nga selia e TFF që ndodhet në Riva, në verilindje të Stambollit, në brigjet e Detit të Zi. Omer Çelik, zëdhënësi i partisë në pushtet AKP, bisedoi me presidentin e Federatës, Mehmet Buyukesi, pas incidentit.
Fenerbahçe me qendër në Stamboll e dënoi ashpër sulmin dhe tha se ata kanë besim të plotë se policia dhe hetuesit së shpejti do t’i gjejnë autorët. Galatasaray, Beşiktaş ,Trabzonspor dhe Istanbul Başakşehir e dënuan ashpër sulmin.