Ora 19.45 e mbrëmjes së sotme përballë në “Elbasan Arena”, çiftin Partizani-Vllaznia, takim ky që me të drejtë cilësohet si kryendeshja e javës në tretë. Informacionet rreth dy kampeve përkatëse bëjnë të ditur se me përjashtim të mbrojtësit Bulatoviç, i cili vijon fazën riaftësuese të dëmtimit, Vllaznia e Brdariç është e plotë duke pasur në dispozicion të gjithë kontigjentin e futbollistëve. Ndërkohë që tek Partizani, tekniku Ilir Daja vuan mungesën e ndonjë titullari.
Gjithësesi, edhe e ka grupin e plotë, Brdariç nuk pritet të bëjë shumë ndryshime në formacion duke i besuar atyre që kanë luajtur në dy ndeshjet e para. Mbrojtja do të jetë ajo e mëparshmja, me Krujën djathtas, kapiteni Gurishta dhe Adili në qëndër dhe Hakaj majtas. Ndërsa në repartet e tjera alternativat janë më të shumta, por sërish trajneri pritet t’u besojë lojtarëve që ka aktivizuar si titullarë deri tani.
Në kampin e kuq, shqetësimi kryesor janë dëmtimet. Në takimin kundër Tërbunit, qendërmbrojtësi Dajan Shehi u aktivizua titullar, por pësoi një dëmtim, duke u zëvendësuar në pushimin mes pjesëve. Dëmtimi nuk është serioz për qendërmbrojtësin, por Daja nuk rrezikoi me të, duke aktivizuar Sotën në pjesën e dytë. Mbetet për t’u parë nëse Shehi do të jetë gati për takimin kundër ish-ekipit të tij, Vllaznisë. Probleme fizike kanë dhe dy lojtarët e rinj të “demave”, Dionis Çikani dhe Klevis Dragaj.
Ajo që vlen të theksohet tek Partizani është se trajneri Daja pritet të hedhe në fushë nga minuta e parë në krahun e djathtë të sulmit Andrija Filipoviç. Në atë pozicion, është aktivizuar më përpara Kardozo në dy ndeshjet e kampionatit, por braziliani pritet të ulet në stol. Kaçe pritet sërish titullar, ndërsa alternativat në mesfushë janë shtuar, pasi Rrapaj dhe Kote kanë lënë pas dëmtimet.