Vllaznia dhe Egnatia u përnballën ditën e djeshme mes tyre në kuadër të gjysmëfinales së kthimit të Kupës së Shqipërisë, sfidë ku rrogozhinasit ia dolën të kualifikoheshin në finale. Vetëm 4 ditë më pas të dyja skuadrat do të vihen sërish përballë njëra-tjetrës,këtë herë për llogaritë e javës së 33-të të Superiorës.
Një duel mes dy ekipeve të vendeve të para në kampionat, me shkodranët që tashmë pas eliminimit nga Kupa do të përqendrojnë të gjithë forcat në kampionët, ku titulli kampion është objektivi i tyre.
Ditën e dielë në orën 15:00 në “Egnatia Arena” shkodranët do të kërkojnë “hakmarrjen” ndaj rrogozhinasve për largimin nga Kupa e Shqipërisë. Por jo vetëm kaq, pasi kuqeblutë synojnë edhe rikthimin te fitorja në kampionat,e cila iu mungon prej 5 javësh.
Aktualisht Vllaznia mban vendin e dytë me 52 pikë, 8 më pak se Egnatia dhe 1 më shumë se Partizani i vendit të 3-të. Ekipi i Qatip Osmanit në 32 javë kampionat ia ka dalë të shënojë 38 gola dhe të pësojë 29, ndërsa kanë siguruar 14 fitore,10 barazime dhe janë mposhtur në 8 raste.
Fatos LAMAJ