Laçi duket se është një “kockë e fortë” për Vllazninë. Rivaliteti mes dy klubeve të futbollit është i pranishëm tek Superiorja e të rriturve, ku laçjanët befasuan dy javë më parë me fitoren e realizuar brenda në “Loro Boriçi”, ndërkohë që edhe në përballjen e kampionatit të Superiores së 21 vjeçarëve ato arritën të marrin një barazim po në Shkodër. Ndeshja në fjalë ishte për llogari të javës së 13-të të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë Superiore U-21.
Duke qenë në vendin e dytë të tabelës së klasifikimit me 3 pikë pas Laçit, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Fatjon Hasani, kishin mundësinë e artë për ta fituar këtë ndeshje dhe për t’u barazuar me pikë me kundërshtarin. Por barazimi në shifrat 1 me 1 i regjistruar pasditen e së hënës në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës ia ka humbur këtë shans skuadrës kuqeblu. Goli i minutës së 31-të shënuar me autor Rrapon ka kaluar në avantazh Laçin duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me shifrat 0 me 1 për skuadrën mike. 45 minutat e dyta nuk nisin aspak mirë për kuqeblutë, pasi kur kishin kaluar vetëm 4 minuta lojë Vllaznia mbetet me 10 futbollistë në fushën e lojës, pasi kapiteni Sekja ndëshkohet me karton të kuq nga gjyqtari i ndeshjes.
Edhe pse me një futbollist më pak në fushën e lojës, Vllaznia arrin të mirëorganizohet mjaft mirë në fushën e lojës. Me kujdesin në prapavijë për të mos pësuar gol tjetër, kuqeblutë ndërmarrin edhe një sërë sulmesh në portën kundërshtare, ku në njërin prej tyre, atë të minutës së 69-të gjejnë golin e barazimit me anë të Malit. Në minutat e mbetura deri në fund të ndeshjes, të dyja skuadrat bëjnë përpjekjet e duhura për të gjetur golin e fitores, por nuk ia arrijnë qëllimit duke lënë në fuqi rezultatin e barabartë 1 me 1. Një rezultat ky është më i favorshëm për skuadrën laçjane, e cila arrin të ruajë pozitat e kryesuesit të renditjes ë kampionatit me 29 pikë, ndërkohë që Vllaznia shkon në vendin e tretë me 26 pikë, pasi në vendin e dytë është Bylis me 27 pikë.