Basketbollin shqiptar ka dhënë të enjten në mbrëmje trofeun e dytë sezonal, pasi Tirana ka mposhtur Teutën në finale me rezultatin 101-80 dhe ka fituar Superkupën. Teuta, që vinte në këtë turne si fituese e Kupës së Shqipërisë, nuk arriti të përfitojë nga faktori fushë, pasi Tirana, kampione në fuqi Shqipërisë, ishte ndjeshëm më superiore në fushë, duke e dominuar sfidën dhe fituar atë me meritë. Kjo është hera e 9-të për Tiranën që fiton këtë trofe, ndërkohë që durrsakët ishin fitues të këtij turneu në vitet e fundit.
Bardheblutë vijojnë ta thellojnë rekordin si ekipi më fitues i kësaj veprimtarie simbolike. Skuadra e trajnerit Erkand Karaj bëri një paraqitje të mirë, duke treguar një lojë më të mirë kolektive. Për bardheblutë ky është trofeu i parë sezonal, ndërkohë që udhëheqin e Supreligën. Më herët, Besëlidhja ka fituar Kupën e Federatës.
Kryeqytetasit prishën gjithashtu edhe “mallkimin” e finaleve të Superkupës ndaj Teutës, duke marrë triumfin e parë ndaj bregdetarëve pas katër humbjeve radhazi që prej vitit 2018 e deri në edicionin e kaluar. Një sukses më se i merituar nga bardheblutë, të cilët zhvilluan një lojë shumë të mirë, duke treguar rendiment të lartë në sulm, ndërsa edhe faza mbrojtëse funksionoi mjaft mirë.