Partizani-Vllaznia. 77-55(27-5, 18-18, 22-7, 10-25)
Pas dy fitoreve radhazi, atë në transfertë me Teutën dhe Barletin në shtëpi, Vllaznia e basketbollit femra është ndalur në dy ndeshjet e radhës. Fillimisht u mund në shtëpi pas një ndeshje dramatike, ku kampionia në fuqi Flamurtari arriti të fitojë në momentet e fundit të takimit, ndërkohë që humbja e dytë radhazi ka ardhur këtë fundjavë në transfertë përballë Partizanit.
Sfida në fjalë e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit është fituar nga Partizani me rezultatin 77 me 55, në një ndeshje që filloi më mirë për skuadrën vendase, ku skuadra e kuqe fitoi periodën e parë me shifrat 27 me 5.
Diferenca e thellë prej 22 pikësh në favor të skuadrës vendase krijoi përshtypjen se Partizani do ta mbyllte shpejt ndeshjen pa ndonjë rezistence të Vllaznisë, por ndërhyrja e trajnerit kuqeblu Bledar Gjeçaj reflekton në lojën e skuadrës së tij, e cila arrin të ekuilibrojë takimin duke bërë që perioda e dytë të mbyllet me shifrat e barabarta, 18 me 18.
Gjithësesi, avantazhi i Partizanit mbetet në fuqi teksa e mbyllë pjesën e parë me rezultatin 45 me 23. Ndërkohë, që me të nisur pjesa e dytë, Partizani, rimerr komandën në fushën e lojës, dhe me disa sulme të shpejta, duke përfituar edhe nga disa gabime radhazi të Vllaznisë, kryesisht në mbrojtje dhe luftën në tabelë, fiton periodën e tretë me shifrat 22 me 7 duke e thelluar akoma më shumë diferencen me kuqeblutë.
Në periodën e katërt dhe të fundit të të gjithë ndeshjes, ka një reagim për mirë të Vllaznisë, ku spikat më tepër Bernarda Reshpja që cilësohet edhe si pikëshënuesja më e mirë me 23 pikë. Kuqeblutë, arrijnë ta fitojnë këtë periodë me shifrat 10 me 25, por pa mundur të ndalin fitoren e të gjithë takimit nga ana e Partizanit me rezultatin e përgjithshëm 77 me 55.
Krahas Reshpjes me 23 pikë, figurë të mirë sportive në këtë ndeshje për ekipin e Vllaznisë bënë edhe Ingrid Dashja me 12 pikë të grumbulluara, si dhe Melinda Hykaj dhe amerikanja Taylor Dunn me nga 7 pikë
Në ndeshjet e tjera të Superligës së basketbollit femra, Elbasani u mund në shtëpi nga Studenti 32-92, Flamurtari mundi thellësisht Barletin 90-31, ndërkohë që Tirana mundi Teutën 82-59.
Pas javës së katërt, Superligën e basketbollit femra e kryeson Studenti dhe Flamurtari me nga 8 pikë, të ndjekur nga Partizani, Tirana dhe Studenti me nga 7 pikë, ndërkohë që Vllaznia ka mbetur në kuotën e 6 pikëve.