Vetëm dy javë kanë mbetur nga përfundimi i këtij edicioni të 13-të të kampionatit të femrave, teksa këtë të shtunë do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 20-të. Pa dyshim që sfida më emocionuese e javës do të jetë klasikja e futbollit shqiptar Vllaznia – Tirana, ndeshje që gjithmonë ka prodhuar garë të fortë.
Një tre pikësh nga shkodranet do t’i jepte titullin e nëntë radhazi në kampionatin e femrave, ndërsa për vajzat bardheblu, një fitore do t’i dërgonte në vendin e parë, në kuotë të barabartë pikësh me Vllazninë. Sfida do të luhet në Shkodër, në ora 11:00. Sakaq, këtë javë të 20-të spikat edhe derbi myzeqar, Apolonia – Lushnja, një ndeshje e lehtë në letër për fieraket, që kanë zhvilluar një edicion të mirë edhe këtë vit. Përballja nis në ora 12:00 dhe do të luhet në Fier.
Në sfidat e tjera të javës, juglindoret e Skënderbeut do të udhëtojnë drejt Shkodrës, ku do të luajnë ndaj Murlanit në ora 12:00, ndërsa në po të njëjtën orë do të luhet derbi i kryeqytetit Tirana AS – Partizani. Atletik Club do të presë në shtëpi durrsaket e Teutës, një tjetër sfidë që pritet të ketë emocione, me dy skuadrat që në tabelën e renditjes ruajnë një pikë distancë nga njëra-tjetra. Ndeshja do të nisë në ora 16:00.
E shtunë, Vllaznia – Tirana, ora 11:00
E shtunë, KF Murlani – KF Skënderbeu, ora 12:00
E shtunë, Tirana AS – Partizani, ora 12:00
E shtunë, Apolonia – Lushnja, ora 12:00
E shtunë, Atletik Club – KF Teuta, ora 16:00