Partizani-Vllaznia 3-0 (25-9, 25-14, 25-23)
Vllaznia-Partizani 0-3(9-25, 14-25, 15-25)
Dy fitoret në çerekfinalen e fazës Play Off ndaj ekipit korçar, Skënderbeu, e kualifikuan Vllazninë e volejbollit për meshkuj në gjysëmfinalen e kampionatit të Superligës. Por, entuziasmi i këtij kualikimi nuk shkoi më tej, sepse ballafaqimi në gjysëmfinale ishte jo pak i vështirë për skuadrën kuqeblu.
Kjo, pasi përballë kishte një nga skuadrat më të mira të volejbollit shqiptar, Partizanin e drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri, i cili me elementin cilësor që ka në formacion, mes të cilëve janë edhe katër huaj, e mposhti skuadrën kuqeblu në të dyja ndeshjet.
Të kuqtë arrijnë të fitojnë 3 me 0 në ndeshjen e parë në kryeqytet të martën e 4 prillit me shifrat, 25-9, 25-14, 25-23, dhe me të njëjtin rezultat, 0-3, fitojnë edhe mbrëmjen e sotme në ndeshjen e dytë në Shkodër me shifrat 9-25, 14-25, 15-25.
Referuar dy ballafaqimeve, shifrat flasin për një ndeshje më të mirë të Vllaznisë në ballafaqimin e transfertës, kur kemi parasysh rivalitetin e fortë që shoqëroi sfidën në setin e tretë, i cili u mbyll me shifrat 25 me 23 në favor të Partizanit.
Ndërkohë, shifrat e seteve në ndeshjen e sotme të luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, flasin për një ndeshje më të dobët të Vllaznisë në këtë ndeshje. Një paraqitje, që në një farë mënyre, u paralajmërua nga kuqeblutë, sapo u mësua emri i kundërshtarit, duke e komentuar Partizanin si një skuadër të pamundur për tu kaluar. Dhe, një gjë e tillë u vertetua edhe në ballafaqimin e sotëm, kur me vetëm 9 pikë të shënuara në setin e parë, 14 në të dytin, dhe 15 në të tretin, pranuan eleminimin në gjysëmfinale.
Gjithësesi, për ekipin kuqeblu të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, kualifikimi në finale dhe zyrtarizimi në katërshen më të mirë të kampionatit, është një objektiv i realizuar nga ajo që ato patën premtuar në fillim të sezonit sportiv.