Asambleja e Përgjishme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër zhvillon punimet e saj paraditën e së hënës së 10 janarit duke pasur si pikë kryesore të saj zgjedhjen e Kryetarit të kësaj shoqate. Zgjedhjet e reja për këtë shoqatë vijnë këtë vitë me një organizim krejt tjetër nga ato të mëparshmet ku nga ana e FSHF-së, institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri, është planifikuar një zgjerim edhe më të madh i aktivitetit të shoqatës duke pasur një vizion tjetër, kompetenca dhe angazhime shumë më serioze në dobi të rajoneve që përfaqësojnë.
Konkretisht, për Shoqatën Rajonale të Futbollit Shkodër, për mandadin në vazhdim do të jenë pjesë e saj, strukturat e futbollit në Shkodër, Malësi të Madhe, Pukë dhe Vaun e Dejës. Që do të thotë, se për shumë gjëra rreth aktivitetit të këtyre zonave, do të jetë SHRF Shkodër që do të ketë kompetencen e mbulimit me gjithçka nevojitet pa pasur nevojë të kontaktojnë fare me FSHF-në qëndër.
Nga sa bëhet e ditur, mes disa kandidaturave të mundshme për të marrë për postin e kryetarit të kësaj shoqate, dy prej tyre, Kujtim Shaba dhe Lazër Matija janë konfirmuar zyrtarisht nga ana e FSHF-së për garën e së hënës. Më heret, në postin e Kryetarit të SHRF Shkodër ka qënë ish futbollisti dhe trajneri i suksesshëm, Armando Cungu, i cili për arsye personale, i diktuar edhe nga pozicioni aktual i trajnerit të kombëtares U-19, është tërhequr nga drejtimi.
Emrat në fjalë, Kujtim Shaba dhe Lazër Matija që kandidojnë për postin e kryetarit të SHRF Shkodër, janë figura të njohura të sportit shkodran. Që të dy vijnë nga fusha e futbollit, më herët futbollistë dhe në vijim trajnerë dhe drejtues me sukses të klubeve të futbollit.
Kujtim Shaba, pasi më herët ka qënë administrator i KF Vllaznia, aktualisht, ushtron detyrën e drejtorit teknik në KF Murlani, ndërkohë Lazër Matija prej disa vitesh vazhdon të mbajë postin e Presidentit të KF Vllaznia për femra, aktivitet në të cilin ka arritur suksese të dukshme, me Vllazninë kampione absolute të futbollit shqiptar, dhe po ashtu në arenën ndërkombëtare duke u kualifikuar në 32 skuadrat më të mira europiane që konsiston edhe suksesi më i madh i një skuadre futbolli shqiptare në arenen ndërkombëtare.
Sipas informacionit marrë në FSHF, Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër do t’i zhvillojë punimet në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” ditën e hënë të 10 janarit duke filluar nga ora 09.00.