Tuesday, November 26, 2024

Tekniku i kombëtares Edi Reja, flet për shortin e Ligës së Kombeve dhe për Brojën

Lexo

Për trajnerin e kombëtares kuqezi, italianin Edi Reja, shorti i hedhur sot në Zvicer për Ligën e Kombeve e ka formatuar Shqipërinë në një grup të vështirë, por që mundësia është për të bërë mirë. Sipas tij, ajo që ai nuk e donte të kishte në të short, ishin dy skuadra, Serbija dhe Rusija, ku e para nuk është, por e dyta është në grup me Shqipërinë. Ndër të tjera, ajo që nuk i pëlqen ka të bëjë edhe me distancat e largëta të udhëtimeve në transfertë.

“Doja të evitoja Serbinë, pasi është sigurisht një skuadër shumë e fortë. Edhe Rusia është shumë e fortë dhe doja ta evitoja, por është e qartë që një prej këtyre skuadrave të forta do të na binte në grup. Islandën nuk e njohim mirë, pasi ka ndryshuar shumë dhe ka bërë një ekip me shumë futbollistë të rinj. Është një grup i vështirë, ashtu si të gjithë të tjerët në Ligën B, por ne jemi të bindur që mund të bëjmë mirë.”, tha fillimisht Reja.

Më pas, nisur nga gjeografia e skudrave që bëjnë pjesë në grup, ai komentoi si jo shumë pozitive distancat e largëta me kundërshtarët, çka udhëtimet e gjata në kësi rastesh nuk priten fort mirë nga futbollistët.

“Më vjen keq vetëm sepse ka disa transferta të largëta si Rusia e Islanda, por uroj që të bëhet kalendari dhe të mos i kemi radhazi këto udhëtime. Të shohim, por në tërësi jam i kënaqur. Objektivi primar është të mos dalim të katërtët dhe më pas do të shohim se deri ku do të shkojmë. Do të nisim në qershor dhe do të shohim, pasi unë po ndjek skuadrat dhe po mbaj shënime, por nuk e di se kush është më e forta dhe kë duhet të kemi frikë. Duhet t’i vlerësojmë më së pari dhe pastaj të shohim se deri ku mund të shkojmë.”, tha Reja.

Për të përballuar me sukses ndeshjet e ngjeshura të Ligës së Kombeve, Reja thotë se i duhet të ketë një kontigjent futbollistësh më të plotë se herët e tjera. “Luhen katër ndeshje në harkun e pak ditëve dhe sigurisht që askush nuk mund t’i përballojë të gjitha. Thënë këtë, duhet të ndryshojmë komplet skuadrën nga ndeshja në ndeshje, ndaj duhet të studiojmë një strategji për mënyrën si do t’i përballojmë këto sfida, por pasi të njohim edhe kundërshtarët. Nuk e di si do të arrijmë në qershor dhe çfarë forme do të kenë futbollistët, sepse mbarojnë kampionatet dhe disa do të jenë të lodhur. Tani dua të luajnë, por deri në qershor do të më bëhej qejfi që të mos luanin shumë, sidomos futbollistët më të rëndësishëm.”, vijoi Reja.

Tekniku Reja ka qënë shumë i kontestuar në lidhje me raportet jo të mira me Armando Brojën, ku më e fundit ishte lënia e tij jashtë planeve të ndeshjes, Angli-Shqipëri. Ndërkohë, shpërthimi i talentit shqiptar në Premier Ligë me gola të njëpasnjëshëm duket se e mban nën presion Rejen për marrëdhëniet që ai do të ketë me Brojën në të ardhmen. Megjithatë, ai komenton me diplomaci çështjen në fjalë. “Dua të kem vetëm gjendjen më të mirë të lojtarëve. Broja ka shumë potencial të madh, unë kam kritikuar sjelljen e Brojës që duhen përmirësuar. Asnjëherë nuk kam vendosur në dyshim aftësitë e tij. E pres krahë-hapur Brojën dhe të gjithë lojtarët e tjerë. Vetëm se futbollistët duhet të japin gjithçka edhe kur nuk janë me topin në zotërim”, përfundoi opinionin e tij trajneri i kombëtares shqiptare, Edi Reja.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img