Brenda muajit dhjetor, Klubi i Tenisit në Shkodër organizoi dy aktivitete shumë të rëndësishme. Më herët, ishte Turneu i Ligës Veriore për veteran, ndërkohë që këtë fundjavë, gara është e një përmase shumë më të madhe duke pasur mbi 50 pjesëmarrës në shkallë kombëtare dhe mbarëkombëtare.
Kështu, krahas tenistëve veteran shkodranë, në garë janë edhe tenistët më të mirë nga qytetet e tjera të Shqipërisë, ndërkohë që konkurues janë edhe tenistë të tjerë të njohur nga Mali i Zi dhe Kosova.
Ndeshjet e zhvilluara në kompleksin e ri bashkëkohor, “Adriatic Tennis Club”, i pari i këtij lloji i ndërtuar në vendin tonë, por edhe në rajon, kanë dhuruar emocione të veçanta, sidomos në përballjet e tenistëve shkodranë me ato të Tiranës, si dhe të Prishtinës.
Turneu Shkodra Indoor, i dhjeti për nga radha, tashmë është bërë shumë i njohur dhe tradicional për të gjithë amatorët e sportit të tenisit, jo vetëm në Shkdër dhe Shqipëri, por edhe në tërë rajonin, sidomos ato me popullsi shqiptare.
Krahas tenistëve të njohur nga Tirana të kategorisë së moshës 35 vjeçare me protagonist kampionin e Shqipërisë, Genci Çakçiri dhe Maliq Dervishin dhe Senad Tafën nga Mali i Zi, si pretendentë për të fituar trofetë individual parashikon edhe tenistët shkodranë, Hysen Zmijani, Andi Bilali dhe Ardian Bleten për kategorinë e moshës 45 vjeç.