Teuta mund Egnatian 3-1 dhe garanton qëndrimin në Superiore

Nuk është objektivi i denjë për një skuadër kampione në dalje, por është ekzaktësisht ai që i duhej Teutës: 3-1 në sfidën direkte me Egnatian vlen sigurinë e qendrimit në Superiore, duke evituar matematikisht zonën playout, në të cilën tani duhet të reflektojë fort Ramadani, që bashkë me lojtarët e tij gaboi krejtësisht ndeshjen dhe madje e kompromentoi përpara se të kishte mundësinë të bënte lëvizjet e tij. Meritë ndoshta edhe e Arapit që përzjeu kartat me pankinën për Hykën e Lorenco Vilën, duke u imponuar me Dacin e Hebajn.

Fakt është se në tre minuta mes të 10 e 13, kur ende nuk ishte regjistruar goditja e parë në portë, Teuta shënoi një dygolësh të tmerrshëm, që e bëri Egnatian ta lëshonte zemra e humbi një 11 metërsh. Beqja korigjoi me kokë në rrjetë krosimin e Kotobellit, ndërsa Hebaj dështoi të dyfishonte në minutën e 12, duke u hiponotizuar nga Puja që priti penalltinë, sa për të shtyrë takimin me nxjerrjen e topit nga rrjeta, sepse 60 sekonda më pas Daci nuk ishte kaq i sjellëshëm me portierin rrogozhinas, duke siguruar rezultatin në 2-0.

Shumë, por mund të kishte qenë më keq nëse Xhekson do kishte shënjestër më të mirë, gjë që e bëri Ramadanin të ndryshojë në mënyrë të paprecedentë me një lëvizje të dyfishtë pas vetëm 25 minutash lojë: Ademi dhe Imeri morën vendin e Lilës dhe Shytit në një konfirmim se ose trajneri kishte bërë zgjedhjet e gabuara, ose lojtarët e tij kishin gabuar ndeshjen. Reagimi i vetëm i ardhur ishte goli i anulluar në minutën e 31-të për pozicion jashtë loje i Delarzh, shumë pak për të menduar të përmbysje rezultatin në Niko Dovana.

Në dhomat e zhveshjes mbeti edhe njeriu simbol i Egnatias, Pedro Augusto, në vend të tij Magani, por është akoma Teuta që sulmon e miqtë që, pa mundur të krijojnë asgjë, vetëm mbrohen. Ky sistem nuk mund të mos sillte golin e tretë të Teutës me Peposhin, që i shërbyer nga Hebaj, kaloi mbrojtësin në markaturë përpara se të thyente edhe njëherë Pujën. Misioni i përmbushur dhe tentativat e Egnatias për ta rihapur ndeshjen nuk impresionojnë veçanërisht vendasit, të fortë në avantazhin e krijuar.

E megjithatë Arapi duhet të ketë ndonjë rezervë për interpretimin e 15 minutave të fundit në të cilat rrogozhinasit goditën traversën me Xhekson në të 76’ e shënuan golin e nderit në minutën e parë shtesë me Maganin, që gjithësesi nuk e zhbën faktin se durrsakët siguruan matematikën shpëtimtare në fund të një sezoni plot probleme, ndërsa rrogozhinasit duhet të qartësojnë idetë pas humbjes së tretë radhazi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu