Vllaznia dhe Teuta, janë dy skuadra, të cilat në historinë e futbollit shqiptar kanë dhuruar emocione pa fund në ballafaqimet e tyre. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e fazës së parë të luajtur në “Niko Dovana”, ku me golin e shënuar në sekondat e fundit nga kapiteni Balaj, Vllaznia u largua me tre pikë nga Durrësi. Të njëjtën gjë kërkon të bëj edhe Teuta në këtë ballafaqim të fazës së dytë, ndeshje e cila luhet të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke filluar nga ora 17:00.
Krahas të tjerave, për durrsakët, stadiumi “Loro Boriçi” është me fat, sepse jo pak herë janë larguar me rezultate pozitive. Për këtë ndeshje trajneri Edi Martini pritet të ketë të gatshëm pothuajse të gjithë lojtarët me përjashtim të mesfushorit Vila , i cili është akoma në dyshim për arsye dëmtimi.
Durrsakët e kanë të qartë se përballë kanë një Vllazni, e dyta në renditje që në objektiv ka titullin kampion, megjithatë, besojnë shumë se do t’ia dalin mbanë. Dhe, garanci për këtë janë tre ndeshjet e fundit, ku përballë Partizanit, Elbasanit dhe Skënderbeut, bregdetarët janë shfaqur bindës në fushën e lojës, ndaj në këtë sfidë të rëndësishme transferte kanë në objektiv të marrin tre pikët e plota.
Ndonëse në kushtet e vështira të motit, Teuta ka konsumuar në orët e pasdites së sotme seancën e fundit anti-Vllazni, ndërkohë që më pas është nisur drejt qytetit verior, ku do të kalojë mbrëmjen në një nga hotelet në periferi të Shkodrës, për të qënë gati pasditen e së shtunës për sfidën zyrtare, Vllaznia-Teuta.