Edhe pse Teuta dhe Vllaznia janë në krye me pikë të barabarta, në letër, bazuar në shumë faktorë, java e fundit e kampionatit favorizon jo pak Teutën të jetë ajo më pranë titullit kampion. Kjo, pasi, në javën e fundit, durrsakët kryesues me një gol më shumë se sa kuqeblutë, presin Apoloninë e rënë zyrtarisht nga Superiorja, ndërkohë që rivali kryesor, Vllaznia luan në shtëpi me një kundërshtar shumë të fortë si Laçi.
Megjithatë, për trajnerin e durrsakëve, Edi Martini, edhe pse beson në suksesin e skuadrës së tij, nuk e mendon të lehtë javën e fundit.
“Është ndeshja e fundit e sezonit, çdo skuadër e ka provuar vendin e parë të paktën në dy javë, më pas një tjetër. Jemi të mobilizuar që në këtë ndeshje të fundit të shpallemi kampion. Ne do të bëjmë lojën tonë, të fitojmë ndeshjen, por sigurisht që vëmendje do të ketë edhe në Shkodër. Gjithsesi, mendoj se në këto momente na ka ardhur fati në dorë, lojtarët e dinë se sa e rëndësishme është kjo sfidë. Shpresojmë të japim më të mirën”, thotë Martini.
Në vijim, ai pranon se është takuar me kolegun e tij, trajnerin e Vllaznisë, Brdariç dhe biseda diplomatike me të. “Është e vërtetë që jemi takuar, këto janë biseda trajnerësh, njëri kërkon të dekurajojë tjetrin. Është një lojë shahu. Laçi ka bërë një kampionat mjaft të mirë, por dhe Apolonia, me ata lojtarë të rinj, është paraqitur mirë. Është një ndeshje që duhet ta përgatisim për të gjitha skenaret. Duket e lehtë në letër, por ne duhet ta konsiderojmë si një sfidë përballë një kundërshtari që luan për titull”, sqaron Martini, ndërkohë që prekë edhe problemin e tifozëve.
“Do doja që të ishin të pranishëm gjatë gjithë sezonit, jo vetëm nesër, futbolli për ata luhet, por nesër është një ditë e shënuar. Të realizojmë objektivin dhe të festojmë së bashku”, përfundon shkodrani i pankinës durrsake, Edi Martini në prononcimin e dhënë gjatë konferencës për shtyp të dhënë në pragndeshjen, Teuta-Apolonia.